Në ditën e 94-të protesta ndryshon skenar – Përplasjet me policinë, shoqërohen protestues …

Tiranë – Protesta e 94-të radhazi kundër qeverisë në Tiranë është shoqëruar me tensione të forta dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Për të dytën ditë radhazi, kryeministri Edi Rama ndodhej në zyrën e tij, ndërsa përpara godinës së Kryeministrisë vijonin protestat e qytetarëve.

Situata u tensionua gjatë mbrëmjes, teksa protestuesit ishin mbledhur në dy pjesë të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Përplasjet kryesore u zhvilluan pranë hyrjes anësore të Kryeministrisë, ku një grup protestuesish tentuan të avanconin drejt godinës, ndërsa policia kishte vendosur kordonë për të penguar afrimin e tyre.

Pas paralajmërimeve përmes megafonëve, efektivët e policisë ndërhynë për të zmbrapsur protestuesit. Gjatë ndërhyrjes u përdor edhe gaz lotsjellës.

Në vijim të protestës, disa protestues janë shoqëruar në polici. Mes tyre raportohet edhe avokati Altin Goxhaj, Dritan Goxhaj, Arvina Lleshi Edison Lika.

Përplasje dhe pretendime për dhunë

Një tjetër moment i tensionuar i protestës lidhet me pamjet e publikuara në rrjetet sociale, ku pretendohet se një qytetar është dhunuar nga efektivë të policisë gjatë protestës së 94-të përpara Kryeministrisë.

Klikoni linkun:

https://rumble.com/embed/v7cs2ii/?pub=1rmzky

Në pamjet e publikuara, qytetari, i cili ndodhej mes protestuesve, rrethohet nga efektivë me uniformë dhe persona me veshje civile. Më pas ndaj tij përdoret forcë fizike.

Ngjarja ka ndodhur përpara godinës së Kryeministrisë, në një kohë kur qytetarët ishin mbledhur për të protestuar kundër qeverisë dhe për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Që në nisje të tubimit, prania e forcave të policisë ka qenë e shtuar. Në terren janë angazhuar edhe efektivë të FNSH-së, ndërsa pranë Kryeministrisë është pozicionuar gjithashtu një autobot me ujë.

Sipas pamjeve të publikuara, qytetari nuk shfaq rezistencë apo sjellje agresive në momentin e ndërhyrjes, ndërsa efektivët e rrethojnë dhe përdorin forcë ndaj tij.

Protesta e 94-të vijon në një situatë të tensionuar, ndërsa qytetarët kanë dalë sërish përpara Kryeministrisë për të shprehur kundërshtimin ndaj qeverisë dhe për të kërkuar ndryshimin e situatës politike në vend.

Përplasjet e kësaj mbrëmjeje shënojnë një tjetër moment tensioni në serinë e protestave të zhvilluara në Tiranë, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të vijojë situata gjatë orëve në vazhdim.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top