Nga Redaksia – Mesazhi i fortë i SHBA-së kundër narkotrafikut: SPAK në qendër të bashkëpunimit ndërkombëtar kundër krimit të organizuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rrisin presionin dhe pritshmëritë ndaj institucioneve shqiptare të drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe narkotrafikut.
Një mesazh i fortë është përcjellë përmes një postimi në rrjetet sociale nga strukturat amerikane të drejtësisë, ku theksohet përfshirja e SPAK në përpjekjet ndërkombëtare për goditjen e organizatave kriminale që veprojnë përtej kufijve.
Divizioni Penal i Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, përmes OPDAT, e solli SPAK-un në qendër të përpjekjeve globale kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
Në Buenos Aires, Drejtuesi i SPAK mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Drogave #IDEC40, të organizuar nga Agjencia Amerikane kundër Narkotikëve (DEA).
Sipas mesazhit amerikan, ky forum përbën një nga platformat kryesore ndërkombëtare të sponsorizuara nga Shtetet e Bashkuara për integrimin operacional, koordinimin dhe bashkërendimin e veprimeve kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, përfshirë edhe organizatat e huaja terroriste të përcaktuara nga SHBA.
Por ajo që bie veçanërisht në sy është niveli i bashkëpunimit të zhvilluar gjatë këtij takimi. Në kuadër të #IDEC40, prokurorët e SPAK zhvilluan 12 takime të nivelit të lartë me homologë nga Shtetet e Bashkuara, Kolumbia, Ekuadori, Ukraina, Paraguai dhe Argjentina.
Qëllimi i këtyre kontakteve, sipas njoftimit amerikan, është forcimi i marrëdhënieve dhe koordinimit operacional për të goditur kërcënimet ndërkombëtare dhe organizatat kriminale që veprojnë në Europë, Amerikën Latine dhe Shtetet e Bashkuara. Një mesazh që shkon përtej një konference Për Shqipërinë, përfshirja e SPAK në një rrjet kaq të gjerë bashkëpunimi ndërkombëtar është një sinjal i rëndësishëm.
Mesazhi amerikan duket i qartë: lufta kundër narkotrafikut dhe krimit të organizuar nuk mund të jetë vetëm deklarative, por kërkon rezultate konkrete, bashkëpunim ndërkombëtar dhe goditje të rrjeteve kriminale në nivelet më të larta.
Në një kohë kur Shqipëria përballet prej vitesh me akuza dhe debate të forta mbi lidhjet mes politikës, biznesit dhe krimit të organizuar, vëmendja ndërkombëtare ndaj SPAK bëhet edhe më e madhe.
Burimi: Departamenti Amerikan i Drejtësisë / OPDAT
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

