VIDEO: Myslim Murrizi ironizon Ramën: Prej 28 vitesh që vjedh dhe mashtron shqiptarët me fjalime histerike ….

Nga Redaksia – Ish-deputeti Myslim Murrizi ka ironizuar përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale fjalimin që kryeministri Edi Rama pritet të mbajë të enjten para deputetëve të Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave.

Rama pritet të mbledhë të enjten, më 3 shtator, grupin parlamentar të PS-së së bashku me qeverinë, në kuadër të nisjes së sezonit të ri politik. Takimi është parashikuar të zhvillohet në orën 10:00 në Pallatin e Brigadave.

Në videon e tij, Murrizi e sheh me ironi fjalimin e pritshëm të kryeministrit, duke e lidhur atë me mënyrën e komunikimit politik që, sipas tij, Rama ka përdorur prej dekadash.

“Fjalimi që Rama pritet të mbajë të enjten para deputetëve të PS-së në Pallatin e Brigadave për t’i ‘motivuar’ në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar javën që vjen”, shprehet Murrizi.

Më tej, ai ironizon retorikën e kryeministrit, duke shkruar:

“Këtë retorikë ka përdorur prej vitit 1998 kur e solli Nano ministër kulture, gjatë 11 viteve kryetar i Bashkisë Tiranë dhe prej 13 vitesh KM.”

Në vijim, ish-deputeti e ashpërson tonin ndaj kryeministrit, duke e akuzuar se prej vitesh përdor fjalime dhe një retorikë që, sipas tij, synojnë të mbulojnë mënyrën e qeverisjes.

“Prej 28 vitesh rresht që vjedh dhe mashtron shqiptarët me fjalime histerike, patetike, duke ulëritur si i lajthitur dhe qeverisur si arrogant, nën diktatin e atyre ndërkombëtarëve që ia dinë çdo gjë dhe e tërheqin me çengela në hundë”, shkruan Murrizi.

Deklarata e tij vjen në prag të takimit të socialistëve në Pallatin e Brigadave, ku Rama pritet t’u japë deputetëve dhe ministrave porositë për fazën e re politike dhe nisjen e punës së Kuvendit.

Takimi pritet të jetë një tjetër moment ku kreu i PS-së do t’u kërkojë deputetëve angazhim më të madh politik dhe organizim në terren, ndërsa brenda mazhorancës po zhvillohen takime të njëpasnjëshme në kuadër të sezonit të ri politik.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top