9 Aug 2025, Sat

Maqedonia – Shteti me sëmundje kronike që refuzon shërimin …

Nga Dr. Adil Mustafa

Maqedonia ngjan me një pacient kronik, të lodhur nga vetëbesimi i sëmurë. Simptoma më e rëndë? Refuzimi sistematik i maqedonasve për të ndërtuar një shtet funksional, të drejtë dhe të barabartë. Që nga dita e parë e pavarësisë, ata zgjodhën rrugën e sëmundjes – një shtet të brishtë, të pambështetur dhe të papërballueshëm për sfidat moderne.

A ka kurë? Patjetër që ka pasur. Ka edhe sot. Por problemi është më i thellë: maqedonasit nuk duan shërim. Nuk e duan një shtet të shëndetshëm, sepse kjo do të kërkonte barazi reale, ndarje pushteti dhe ndërtim të një modeli përfshirës – gjë që e përjashtojnë me kokëfortësi.

Sëmundja e vërtetë nisi me vizionin përjashtues të ish-presidentit Gligorov, i cili e konceptoi Maqedoninë vetëm për maqedonasit, duke importuar modelin e Millosheviçit. Ky mentalitet serbo-nacionalist refuzoi shqiptarët si popull shtetformues dhe vendosi themelet e një konflikti të përhershëm politik dhe shoqëror.

Maqedonia është një shtet me plagë të hapura:

Me Greqinë për emrin

Me Bullgarinë për identitetin

Me Serbinë për religjionin

Me shqiptarët për barazinë

Skemat e jashtme janë vetëm pjesë e problemit. Diagnostika reale tregon se origjina e sëmundjes është e brendshme: një shtet që funksionon mbi themele etnocentrike nuk mund të mbijetojë në një realitet multietnik.

Nuk mund të ndërtohet një shtet mbi mohimin!

Revanshizmi maqedonas ndaj shqiptarëve, mbajtja e pushtetit vetëm në një dorë, përdorimi i simboleve vetëm për një komb dhe trajtimi i shqiptarëve si qytetarë të dorës së dytë, është një recetë për kolaps. Marrëveshja e Ohrit është kthyer në letër të vdekur. Marrëveshja e Prespës nuk ka prekur rrënjët e problemit.

Në gjithë këtë skemë të sëmurë, klasa politike shqiptare ka qenë thjesht një vegël e dobët, pa zë dhe pa vetëdije kombëtare. Për karrige, ka pranuar të jetë dekor nëpër qeveri dhe të heshtë për barazinë. Nuk ka pasur guxim të thotë: ose shqiptarët janë popull shtetformues me të drejta të plota, ose nuk ka qeveri!

Në këtë realitet, Maqedonia është një shtet që ecën me paterica dhe nuk ka të ardhme funksionale. Pa barazi reale, pa përfaqësim kushtetues dhe pa respekt për karakterin multietnik, ky shtet do të rrëshqasë gjithnjë e më shumë në krizë.

Zgjidhja nuk është e pjesshme. Nuk është çështje fjalësh apo marrëveshjesh boshe. Është strukturore:

Barazi reale

Përfaqësim i drejtë dhe i ndershëm

Ndarje pushteti dhe simbolet

Njohje kushtetuese e shqiptarëve si bashkëthemelues të shtetit

Përndryshe, ajo që na pret është paraliza përfundimtare e një shteti që vetë refuzoi të bëhej i shëndetshëm.

Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *