Aq shumë kanë frikë nga vezët e protestuesve, sa po luajnë shah në plazh …

Nga Redaksia – Kur protestuesit nisën të qëllonin me vezë deputetët dhe ministrat, duket se mes pushtetarëve u përhap një tjetër lloj alarmi: kujdes, vezët mund t’ju ndjekin edhe në pushime!

Pas pamjeve të protestave dhe incidenteve ku deputetë e ministra janë përballur me vezët e protestuesve, duket se disa prej tyre kanë zgjedhur të qëndrojnë larg çdo turme, duke shijuar qetësinë e plazhit.

Një prej rasteve që ka tërhequr vëmendjen është ai i ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, i cili është shfaqur duke kaluar të dielën në një ambient buzë detit, ndërsa në zona të ndryshme të vendit situata e zjarreve ka vënë në vështirësi banorë, fermerë dhe sipërfaqe të tëra bujqësore e pyjore.

Salla ishte një nga emrat që surprizuan në gushtin e vitit të kaluar, kur kryeministri Edi Rama e prezantoi si ministër të Bujqësisë. Pas një viti në detyrë, ai nuk ka spikatur për ndonjë përplasje të fortë publike apo zhvillim të bujshëm, ndërsa këtë të diel është shfaqur në një skenë krejt tjetër: duke luajtur shah në plazh.

Fotografia është publikuar nga ish-kolegu i tij dhe kryebashkiaku i Librazhdit, Mariglen Disha, ku të dy shfaqen ulur përballë tabelës së shahut.

“Dy pushtete, një tavolinë dhe shumë strategji… pjesa tjetër është thjesht lojë”, shkruan Disha në diçiturën e fotografisë.

Por ndërsa në tavolinë luhet shah, në terren situata është krejt tjetër.

Zjarret kanë përfshirë zona të ndryshme të vendit, duke prekur sipërfaqe pyjore, toka bujqësore, pemëtari dhe, në disa raste, edhe banesa. Për fermerët që përballen me dëmet e flakëve, pamja e një ministri që relaksohet në bregdet mund të duket si një kontrast i fortë me realitetin që po përjetohet në terren.

Dhe këtu lind edhe pyetja ironike: A është shahu strategjia e re e pushtetit për t’u larguar nga “vezët” e protestuesve?

Sepse nëse më parë protestuesit i ndiqnin me vezë në rrugë e në Kuvend, tani ndoshta ka ardhur koha të zgjedhin plazhet dhe tavolinat e shahut si vendin më të sigurt për të kaluar fundjavën.

Në fund të fundit, në shah mbreti mbrohet nga të gjitha anët. Në politikë, duket se disa po kërkojnë të njëjtën mbrojtje edhe nga protestuesit.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top