Nga Redaksia – Kryeministri Edi Rama vizitoi në Cërrik fermën eksperimentale të shkollës profesionale “Mihal Shahini”, një projekt i realizuar me mbështetjen e MASHAV – Agjencisë Izraelite për Zhvillim.
Sipas njoftimeve zyrtare, kjo fermë synon të shërbejë si një platformë edukimi, trajnimi dhe demonstrimi për nxënësit e shkollës profesionale, por edhe për fermerët e zonës, të cilët do të kenë mundësi të njihen me metoda të reja dhe inovative në kultivimin e produkteve bujqësore.
Projekti përfshin aplikimin e praktikave moderne në bujqësi, me qëllim rritjen e njohurive profesionale dhe përmirësimin e teknikave të prodhimit, kur ndërkohë Rama po përballet prej vitesh me akuza nga ekspertët se përmes vendimeve të Këshillit të Ministrave (VKM), ligjit për investimet strategjike dhe marrëveshjeve me investitorë të huaj po ndryshon mënyrën e administrimit të pasurive publike dhe tokave në Shqipëri.
Dhe ky debat është rikthyer pas inaugurimit të fermës eksperimentale në Cërrik, një projekt i realizuar në bashkëpunim me MASHAV, agjencinë izraelite për zhvillim, ku kryeministri njoftoi edhe një marrëveshje të re bashkëpunimi me Izraelin në fushën e bujqësisë.
Ekspertët kërkojnë që qeveria të bëjë publike të gjitha VKM-të, kontratat dhe marrëveshjet që lidhen me tokat shtetërore, investimet strategjike dhe projektet e zhvillimit, duke argumentuar se transparenca është e domosdoshme për të shmangur çdo dyshim mbi përdorimin e pasurive publike.
Nga ana tjetër, qeveria justifikohet duke deklaruar se këto projekte synojnë modernizimin e bujqësisë, transferimin e teknologjisë dhe të ekspertizës, si edhe rritjen e produktivitetit të sektorit me izraelit sipas Ramës.
Debati publik mbetet i hapur dhe kërkesat për publikimin e plotë të VKM-ve, marrëveshjeve dhe dokumentacionit shihen nga shumë ekspertë si mënyra më e mirë për të garantuar transparencën dhe llogaridhënien institucionale.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

