Nga Redaksia – Aktivisti Edviol Kulluri ka ngritur akuza të forta lidhur me ecurinë e Protestës Kombëtare, duke pretenduar se ajo po përballet me një situatë të rëndë, e cila sipas tij rrezikon të çojë në dështimin e saj.
Kulluri shprehet se Grupi Nismëtar Koordinues është vënë nën presion nga persona që, sipas tij, i shërbejnë “Sistemit të Vjetër”. Ai pretendon se mbledhjet e grupit zhvillohen në një klimë intimidimi dhe kërcënimesh, ndërsa kontrolli mbi mikrofonin dhe organizimin e protestës është marrë nga këta individë.
Postimi i plotë i Edviol Kulluri-t:
Grupi Nismëtar Koordinues është kapur me dhunë intimiduese nga njerëz që i shërbejnë Sistemit të Vjetër 82-vjeçar. Mbledhjet e GNK zhvillohen në klimë dhune dhe kërcënimi nga këta njerëz vegla. Mikrofoni tashmë komandohet plotësisht prej tyre. Aktivistë dhe protestues realë janë kërcënuar prej këtyre njerëzve dhe u është pamundësuar, me kërcënim, afrimi te mikrofoni.
Unë, personalisht, prej disa ditësh nuk po marr më pjesë fizikisht në protestë, për shkak se nuk mund të shkoj pa reaguar siç duhet, bashkë me njerëzit e mi, në një protestë ku aktivistët dhe protestuesit që nuk u nënshtrohen uzurpatorëve kërcënohen për t’i mbajtur nën kontroll me turpërim, dhunë dhe intimidim. Sepse, nëse shkoj e reagoj siç e kërkon situata, sheshi do të kthehet në fushë beteje mes nesh dhe uzurpatorëve, gjë që do ta shpërbënte fare protestën dhe faji, nga mediat e Sistemit që përkrahin uzurpatorët, do të na hidhej i gjithi neve. Si dhe do të arrestoheshim vetëm ne, sepse uzurpatorët mbajnë me vete kudo me dhjetëra policë civilë (edhe shumë pranë mjedisit ku bëhen mbledhjet e Grupit). Kështu që kam zgjedhur të mos marr pjesë fizikisht, bashkë me djemtë e grupit tim, për të mos rrezikuar mbarëvajtjen e protestës.
Por, përpos kujdesit tonë, mbetet fakti që protesta është tashmë e uzurpuar nga grupi i veglave të sistemit, të cilët kanë nën kontroll mikrofonin dhe Grupin Nismëtar Koordinues. Këta njerëz vegla, duke sajuar ngjarje të ndryshme, po paraqiten si heronj nga mediat e Sistemit, në mënyrë që të faktorizohen si drejtues të Protestës Kombëtare. Kur, në të vërtetë, ata janë personat që po e shkatërrojnë dhe keqdrejtojnë protestën. Pardesytë e bardha të 2026!
Kam detyrimin ndaj Popullit tim për të thënë të vërtetën, prandaj po e them!
Duhet të gjendet një mënyrë për t’i përzënë uzurpatorët dhe të shiturit te Sistemi i Vjetër. Përndryshe, Protesta Kombëtare do të ketë fund edhe më të hidhur se protesta studentore e vitit 2018.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

