Nga Redaksia – Në sheshin qendror të Gjakovës ka nisur një peticion qytetar që synon ndryshimin e emrit zyrtar të Kosovës në Dardani. Sipas iniciatorëve të kësaj nisme, emri Dardani përfaqëson identitetin historik të këtij territori, i cili në lashtësi njihej si pjesë e Dardanisë dhe e hapësirës më të gjerë ilire.
Njëra nga iniciatoret e peticionit, Fatushe Dervishdana, deklaroi se qëllimi i kësaj nisme është zëvendësimi i emrit “Kosovë”, të cilin ajo e cilëson si me prejardhje sllave.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ta nënshkruajnë peticionin. Nëse vazhdojmë të mbajmë emrin sllav Kosovë, bëjmë gabim trashanik”, është shprehur ajo.
Sipas organizatorëve, iniciativa është ndërmarrë nga nëntë persona dhe synon të mbledhë 10 mijë nënshkrime. Pas përfundimit të procesit, peticioni pritet t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim.
Nisma ka hapur diskutime mbi identitetin historik dhe simbolik të emrit të shtetit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të arrijë të sigurojë numrin e nevojshëm të nënshkrimeve dhe çfarë reagimi do të ketë nga institucionet.
Burimi: Radio Dukagjini.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

