Revolta e patronazhistëve: Historia ka treguar se shqiptarët të shesin kur ju preken interesat …

Nga Redaksia –Në Shqipëri është përsëritur shpesh një fenomen që shumë qytetarë e kanë vënë re ndër vite: besnikëria politike zgjat deri në momentin kur preken interesat personale. Kur humbet posti, privilegji apo përfitimi, ndryshon edhe qëndrimi.

Ajo që ndodhi në Poliçan dhe në disa bashki të tjera po interpretohet nga shumë qytetarë pikërisht në këtë prizëm. Zëra që deri dje mbronin me fanatizëm Partinë Socialiste dhe drejtuesit e saj, sot janë kthyer në kritikët më të ashpër. Për shumëkënd, kjo nuk është një revoltë e lindur nga bindja apo ndërgjegjja, por nga humbja e interesave.

Për vite me radhë, patronazhistët janë akuzuar se kanë qenë pjesë e mekanizmit që ka mbajtur në këmbë pushtetin lokal, duke përfituar vende pune në administratë, ndikim në institucionet shtetërore dhe privilegje të ndryshme. Ndërsa tani, kur këto përfitime duket se po rrezikohen, shumë prej tyre kanë zgjedhur të distancohen nga partia që deri dje e mbronin.

Një nga shkaqet që ka nxitur reagime të forta është edhe Reforma e re Territoriale e propozuar nga Partia Socialiste, e cila parashikon shkrirjen e disa bashkive dhe bashkimin e tyre me njësi të tjera vendore. Propozimi ka sjellë protesta në disa qytete të vendit, ku banorët kanë dalë kundër ndryshimeve të parashikuara. Reagime janë regjistruar në Përrenjas, Këlcyrë, Dimal, Belsh, Memaliaj dhe zona të tjera, ku qytetarët kërkojnë që identiteti dhe autonomia e bashkive të tyre të mos preket.

Kundërshtimet nuk kanë ardhur vetëm nga qytetarët, por edhe nga përfaqësues të Partisë Socialiste. Anëtari i Këshillit Bashkiak të Patosit, Armand Ahmeti, ka dalë publikisht kundër propozimit për bashkimin e Bashkisë Patos me Fierin, duke deklaruar se qëndrimi i tij bazohet në shqetësimet e qytetarëve dhe konsultimet me anëtarët e këshillit bashkiak. Edhe këshilltarja socialiste e Këshillit Bashkiak të Selenicës, Aleksandra Arshiaj, është shprehur në mbështetje të qytetarëve që kundërshtojnë bashkimin e Selenicës me Vlorën.

Në të njëjtën linjë është rreshtuar edhe kryetari socialist i Bashkisë së Divjakës, Josif Gorrea, i cili ka kundërshtuar publikisht propozimin për bashkimin e Divjakës me Lushnjën. Gjatë një proteste me qytetarët, ai deklaroi se lajmi për shkrirjen e bashkisë i kishte ardhur si një “bombë” dhe se ishte ndjerë i tradhtuar nga mënyra se si ishte bërë publik propozimi.

Rezerva ndaj procesit ka shprehur edhe deputeti socialist Erion Braçe, i cili ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet Reforma Territoriale, duke theksuar se komunitetet që preken nga bashkimi ose shkrirja e bashkive nuk janë përfshirë në diskutime dhe konsultime të mjaftueshme.

Megjithatë, për një pjesë të opinionit publik, fakti që shumë nga reagimet më të forta po vijnë nga njerëz që deri dje ishin pjesë e strukturave të Partisë Socialiste ngre pikëpyetje mbi motivet e kësaj revolte. Djegia e teserave dhe deklaratat se “jemi me popullin dhe jo me partinë” shihen me skepticizëm nga shumë qytetarë, të cilët argumentojnë se nëse padrejtësitë do t’i kishin shqetësuar vërtet, reagimi do të kishte ardhur shumë më herët dhe jo vetëm në momentin kur u prekën interesat apo pozicionet e tyre.

Historia politike shqiptare ka njohur raste të shumta kur njerëzit kanë ndryshuar krah sapo kanë humbur pushtetin ose privilegjet. Kjo është arsyeja pse shumë qytetarë i shohin zhvillimet e fundit jo vetëm si një debat mbi Reformën Territoriale, por edhe si një përplasje interesash brenda vetë mazhorancës.

Një shprehje e vjetër thotë se “kur fundoset anija, të parët largohen minjtë”. Për shumë analistë dhe qytetarë, ajo që po ndodh në disa struktura lokale të Partisë Socialiste ngjan pikërisht me këtë situatë: një shenjë se besnikëria politike po zëvendësohet nga instinkti për të mbrojtur interesin personal.

Në fund, mbetet koha ajo që do të tregojë nëse kjo është vetëm një revoltë e përkohshme e patronazhistëve dhe funksionarëve të pakënaqur, apo sinjali i parë i një krisjeje më të thellë në strukturat e Partisë Socialiste përballë Reformës së re Territoriale. Për një pjesë të opinionit publik, një gjë duket e qartë: historia ka treguar se kur preken interesat, shumë janë të gatshëm të ndryshojnë anë brenda një dite.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top