Thirrje ndaj Policisë së Shtetit: Mos u ktheni kundër popullit tuaj …

Nga Redaksia – Një mesazh i fortë është publikuar nga Ylli Çela, i cili u drejtohet efektivëve të Policisë së Shtetit me një apel që, sipas tij, buron nga ndërgjegjja qytetare dhe dashuria për Shqipërinë. Në reagimin e tij, ai u kërkon policëve të mos përdorin forcën ndaj qytetarëve protestues dhe të reflektojnë mbi rolin që kanë në shoqëri.

Sipas Ylli Çelës, policët janë bij të popullit shqiptar dhe nuk duhet të shndërrohen në instrument për shtypjen e qytetarëve. Ai ngre pyetjen nëse ky ishte profesioni që ata kishin ëndërruar, duke kritikuar përdorimin e forcës dhe të gazit lotsjellës ndaj protestuesve.

Në mesazhin e tij, Çela u kujton efektivëve se shumica prej tyre janë rritur në familje të thjeshta e punëtore dhe se nuk duhet të harrojnë origjinën e tyre. Ai shprehet se qytetarët që protestojnë nuk janë armiq, por njerëz që, sipas tij, kërkojnë një Shqipëri më të drejtë.

Autori i mesazhit kritikon ashpër klasën politike, duke e akuzuar për përgjegjësi në gjendjen ekonomike dhe sociale të vendit. Ai u bën thirrje policëve të mos përplasen me bashkëqytetarët e tyre për interesat e politikanëve, por të mbrojnë ligjin dhe interesin publik.

Në fund të reagimit, Ylli Çela u bën apel efektivëve të reflektojnë para se të jetë vonë, duke theksuar se një ditë edhe ata do të jenë qytetarë të zakonshëm, me të njëjtat vështirësi ekonomike e sociale si pjesa tjetër e shqiptarëve.

Ai e mbyll mesazhin e tij me një thirrje për ndërgjegjësim, duke shprehur mbështetje për protestuesit dhe duke deklaruar: “Rrofshin protestuesit shqiptarë! Rroftë Shqipëria!”

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top