Anomali apo amulli strategjike? Ish-kapiteni i Rangut të parë Artur Meçollari ngre pyetje mbi politikën e blerjeve ushtarake …

Nga Redaksia – Ish-kapiteni i Rangut të Parë, Artur Meçollari, i cili ka përfunduar Shkollën e Lartë të Detarisë në Vlorë në vitin 1989, ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si janë zhvilluar vitet e fundit blerjet e armatimeve për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, duke e cilësuar situatën si një “anomali apo amulli strategjike”.

Sipas Meçollarit, pasi u lidhën disa kontrata me kompaninë izraelite Elbit Systems dhe u realizuan kontrata të tjera me Izraelin për blerje armatimi, vetëm pas dy vitesh qeveria vendosi të marrë një hua prej 302 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara dhe të blejë gjashtë topa nga Turqia.

Ai thekson se SHBA-ja dhe Turqia janë partnerë strategjikë të Shqipërisë dhe kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në sigurinë e Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas tij, për më shumë se 35 vjet këto vende kanë mbështetur në mënyrë të vazhdueshme Ushtrinë Shqiptare, duke dhuruar pajisje dhe duke investuar në modernizimin e saj.

Meçollari kujton se, së bashku me Italinë dhe vende të tjera të NATO-s, SHBA-ja dhe Turqia luajtën një rol kyç në ringritjen e Ushtrisë Shqiptare pas krizës së vitit 1997. Për këtë arsye, ai shprehet se këto shtete duhej të mbeteshin partnerët kryesorë në bashkëpunimin ushtarak. Në të njëjtën kohë, ai nënvizon se Izraeli është një vend mik i Shqipërisë, por sipas tij nuk është përcaktuar zyrtarisht si partner strategjik i vendit.

Në analizën e tij, Meçollari ndalet edhe te ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu. Sipas tij, Vëngu “ka marrë në dorë flamurin e SHBA-së”, ndonëse pretendon se për më shumë se një vit ka bllokuar marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara, nga korriku 2024 deri në nëntor 2025.

Meçollari pretendon se gjatë kësaj periudhe ka pasur mosmarrëveshje mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ambasadës së SHBA-së në Tiranë lidhur me ritmin e avancimit të marrëveshjes. Sipas tij, kulmi i këtij konflikti u arrit në gusht 2025, periudhë që përkoi me largimin e atasheut ushtarak amerikan dhe me vizitën e një anijeje të Marinës së SHBA-së në Shqipëri. Ai pretendon se ambasada kërkonte përshpejtimin e procedurave, ndërsa ministri i bllokonte ato për t’i dhënë përparësi marrëveshjeve me Elbit Systems, KAYO dhe tre marrëveshjeve të tjera me Izraelin në fushën e mbrojtjes.

Sipas Meçollarit, vetë Pirro Vëngu ka deklaruar se marrëveshja me SHBA-në kishte nisur në kohën kur Ministër i Mbrojtjes ishte Niko Peleshi, të paktën që nga korriku i vitit 2024. Ai shton se Ardi Veliu u emërua drejtor i KAYO në tetor 2024, duke argumentuar se negociatat me Ron Yaffel kanë nisur më vonë se ato me SHBA-në, por janë përfunduar më shpejt.

Gjithashtu, Meçollari pretendon se vetëm gjatë tre muajve të fundit ministri Vëngu iu rikthye marrëveshjes me SHBA-në, pasi ishin përmbyllur marrëveshjet e tjera. Në mbështetje të këtij argumenti, ai citon deklaratën e të Ngarkuarës me Punë të SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, e cila më 27 shkurt 2026 u shpreh: “Dua të them gjithashtu se jemi të kënaqur që kemi ministrin me ne sot, i cili ka qenë një partner kaq i fortë i Shteteve të Bashkuara gjatë muajve të fundit.”

Sipas Meçollarit, përdorimi i shprehjes “gjatë muajve të fundit”, ndërkohë që Vëngu kishte rreth 17 muaj në detyrë si ministër, ngre pikëpyetje mbi ecurinë e bashkëpunimit me SHBA-në gjatë pjesës më të madhe të mandatit të tij. Ai shton se fakti që Vëngu tashmë po promovon marrëveshjen me SHBA-në nuk ndryshon, sipas tij, dinamikën e mëparshme të procesit dhe se largimi i tij nga detyra nuk lidhet me zhvillimet politike rreth Belinda Ballukut.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top