Protesta e ditës së 58-të, qytetarët marshuan nga Kuvendi drejt Komisariatit nr. 1…

Tiranë – Protesta e ditës së 58-të u zhvillua këtë të hënë me një skenar të ndryshëm nga herët e tjera, ndërsa qytetarët u mblodhën fillimisht përpara Kuvendit të Shqipërisë dhe më pas marshuan drejt sheshit “Skënderbej”, për të vijuar më pas drejt Komisariatit nr. 1, ku sipas protestuesve mbahen disa nga personat e ndaluar gjatë tubimeve.

Organizimi i protestës nisi që në orën 08:30 të mëngjesit, ndërsa seanca plenare e Kuvendit filloi në orën 10:00. Që në orët e para u vu re një prani e shtuar e forcave të policisë, të cilat kishin krijuar një perimetër sigurie rreth godinës së Kuvendit për të penguar afrimin e protestuesve dhe për të shmangur tensionet gjatë hyrjes së deputetëve.

Pavarësisht masave të marra, gjatë protestës pati përplasje dhe momente tensioni mes qytetarëve dhe efektivëve të policisë. Gjatë ndërhyrjeve u shoqëruan disa persona, mes tyre edhe Arben Kola.

Ndryshe nga protestat e mëparshme, këtë herë protestuesit u shpërndanë në disa akse kryesore të kryeqytetit, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin në disa rrugë. Më pas ata u rikthyen sërish përpara hyrjes së Kuvendit, përpara se protesta të zhvendosej drejt Komisariatit nr. 1.

Ngjarjet e ditës u zhvilluan nën masa të forta sigurie, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagime zyrtare nga autoritetet lidhur me shoqërimet dhe incidentet e raportuara gjatë protestës.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top