Protesta në ditën e 58-të para Kuvendit – Qytetarët rinovojnë thirrjet për dorëheqjen e Edi Ramës …

Tiranë – Qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të hënë përpara Kuvendit të Shqipërisë, në ditën e 58-të të protestës, duke vijuar kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe duke shprehur pakënaqësinë ndaj klasës politike.

Një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendjen gjatë tubimit ishte shfaqja e një pankarte me mbishkrimin: “Pula në burg, është fabrikë e armëve”, një mesazh ironik që lidhet me protestën e së enjtes, kur deputetë dhe ministra u goditën me vezë gjatë hyrjes në Parlament.

Protestuesit kanë shoqëruar tubimin me thirrje të forta kundër politikës shqiptare, duke brohoritur: “Rama në burg, Berisha në burg!”, “Parlament i krimit!”, “Parlament analfabet!” dhe “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!”

Ndërkohë, protesta po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie. Forca të shumta policie janë vendosur përreth godinës së Kuvendit, ku po mbahet seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të protestës.

Protesta para Kuvendit vazhdon të jetë një nga zhvillimet kryesore politike në vend, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kërkesat e protestuesve do të sjellin reagime nga institucionet dhe përfaqësuesit e shumicës parlamentare.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top