VIDEO: Rama mohon marrëdhëniet e biznesit me Jared Kushner, por Sazani dhe Zvërneci ngrenë pikëpyetje: Pse gazetarët e pyetën në Dublin?

Nga Redaksia – Kryeministri Edi Rama u përball sërish me pyetje të drejtpërdrejta nga gazetarët ndërkombëtarë për Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, dhe projektet e mëdha turistike që lidhen me emrin e tij në Shqipëri.

Gjatë qëndrimit në Dublin, ku po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian, Rama u pyet për marrëdhëniet e tij me Kushnerin dhe interesat e biznesmenit amerikan në Shqipëri. Përgjigjja e kryeministrit ishte e prerë: “Nuk kam asnjë marrëdhënie biznesi me të”.

Rama u përpoq ta paraqiste Kushnerin si një nga investitorët e shumtë që kanë shfaqur interes për Shqipërinë, duke theksuar se me grupin e tij po zhvillohen bisedime, por se nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare.

Ai gjithashtu mohoi që ishulli i Sazanit të jetë shitur apo t’i jetë dorëzuar investitorit amerikan, duke deklaruar se ishulli do të mbetet pronë e Shqipërisë dhe se shteti shqiptar synon të jetë bashkëaksioner në investim.

Por pikërisht këtu nis historia që kërkon më shumë shpjegime.

Emri i Jared Kushnerit nuk është një emër i rastësishëm që është përmendur në mediat shqiptare apo ndërkombëtare. Interesi i grupit të tij për Shqipërinë është shndërruar prej kohësh në një çështje konkrete, me projekte të mëdha në dy prej zonave më të rëndësishme të bregdetit shqiptar, Sazan dhe Zvërnec.

Më 27 dhjetor 2023, kompania Atlantic Incubator Partners LLC paraqiti pranë institucioneve shqiptare propozimin për zhvillimin e një resorti turistik në ishullin e Sazanit. Më 30 dhjetor 2024, Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga Edi Rama, miratoi statusin e investitorit strategjik për projektin, me një vlerë të parashikuar prej rreth 1.4 miliardë eurosh.

Më poshtë mund të lexoni:

Pra, bëhet fjalë për një projekt që ka kaluar nëpër dyert e institucioneve shtetërore dhe që është shqyrtuar nga një komitet i drejtuar nga vetë kryeministri.

Ndërkohë, edhe projekti i Zvërnecit ka qenë pjesë e planeve të investimeve të grupit të Kushnerit, duke e bërë Shqipërinë një pikë të rëndësishme të interesave të tij në rajon.

Atëherë, nëse gjithçka është kaq e thjeshtë dhe Kushner është thjesht një investitor që ka shfaqur interes për Shqipërinë, përse kjo çështje vazhdon të ndiqet nga gazetarët ndërkombëtarë? Përse emri i kryeministrit shqiptar dhe ai i dhëndrit të presidentit amerikan përfundojnë vazhdimisht në të njëjtat pyetje?

Gazetarët nuk i bëjnë këto pyetje pa një arsye. Ata kërkojnë përgjigje për një çështje që ka ngjallur interes ndërkombëtar dhe që lidhet me investime miliardëshe, prona publike, zona me rëndësi strategjike dhe pasuri natyrore të Shqipërisë.

Më poshtë mund të lexoni:

Edhe nëse Rama këmbëngul se nuk ka marrëdhënie personale biznesi me Kushnerin, kjo nuk e mbyll debatin për marrëdhëniet institucionale, negociatat dhe kushtet mbi të cilat po zhvillohen këto projekte.

Pyetja që shqiptarët kanë të drejtë të bëjnë është: çfarë po negociohet realisht pas dyerve të institucioneve shqiptare dhe çfarë përfiton Shqipëria nga këto investime?

Sazani dhe Zvërneci nuk janë prona private të kryeministrit dhe as pasuri që mund të trajtohen si çështje mes dy biznesmenësh. Janë pasuri të Shqipërisë, ndaj çdo marrëveshje që lidhet me to duhet të jetë transparente dhe e njohur për publikun.

Rama mund të mohojë marrëdhëniet personale të biznesit me Jared Kushnerin, por pyetjet për projektet, negociatat dhe interesat që qëndrojnë pas tyre nuk zhduken me një deklaratë në Dublin.

Më poshtë mund të lexoni:

Dhe sa më shumë që kryeministri përpiqet ta mbyllë këtë çështje me një përgjigje të shkurtër, aq më shumë rëndësi merr transparenca për atë që po ndodh me pasuritë strategjike të Shqipërisë.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top