Rama përsërit skenarin e OFL-së me Bordin e Transparencës: Dje spektakël me krimin, sot me çmimin e naftës!

Nga Redaksia – Dikur OFL-ja, sot Bordi i Transparencës. Ndryshojnë emrat dhe objektivat, por skenari i spektaklit mediatik duket i njëjtë. Një ditë ulet nafta me 3 lekë, ditën tjetër rritet me 5 lekë. Ndërsa Rama vazhdon të shfaqet si njeriu që kujdeset për shqiptarët, qytetarët vazhdojnë të paguajnë faturën.

Në Shqipëri, Edi Rama duket se e ka kthyer krijimin e strukturave të posaçme në një mënyrë të zakonshme për të komunikuar me publikun. Sa herë që shfaqet një problem, krijohet një mekanizëm, i vihet një emër pompoz dhe më pas nis spektakli mediatik për t’u treguar shqiptarëve se qeveria po merr masa.

Nëse ju kujtohet, më 5 shkurt 2020, Rama vuri në funksion Operacionin Forca e Ligjit (OFL), një strukturë që kishte si objektiv goditjen e pasurive të personave të dënuar dhe individëve me rekorde kriminale. Operacioni u shoqërua me një fushatë të madhe mediatike. Kamerat ndiqnin veprimet në terren, ndërsa qytetarët shihnin pamjet e agjentëve të kësaj strukture. Në atë kohë, vëmendjen e publikut e tërhoqi edhe një agjente bjonde me syze, e cila shfaqej në media duke raportuar detaje nga operacionet.

OFL-ja u prezantua me bujë si një goditje e madhe kundër krimit dhe pasurive të paligjshme. Por sot, kur kujtohet ajo periudhë, pyetja që mbetet është se sa nga spektakli mediatik u përkthye në rezultate konkrete.

Dhe ja ku vijmë në ditët e sotme. Këtë herë nuk kemi OFL-në, por Bordin e Transparencës. Nuk kemi aksione të filmuara kundër personave me rekorde kriminale, por vendime për çmimin e naftës. Ndryshon skena, ndryshojnë protagonistët, por mënyra e komunikimit me publikun duket e njohur: shumë zhurmë, shumë njoftime dhe një qeveri që kërkon të shfaqet si shpëtimtare.

Por këtë herë spektakli zhvillohet drejtpërdrejt në xhepat e shqiptarëve.

Vetëm një ditë pasi Bordi i Transparencës vendosi të ulte me 3 lekë çmimin e naftës, nga 208 në 205 lekë për litër, të nesërmen vendosi një rritje prej 5 lekësh. Kështu, nafta arriti në 210 lekë për litër, pra 2 lekë më shumë se përpara uljes së shpallur një ditë më parë.

Edhe benzina pësoi rritje. Nga 164 lekë për litër, çmimi maksimal shkoi në 165 lekë, ndërsa gazi për automjetet mbeti në 71 lekë për litër.

Çmimet e reja hynë në fuqi më 12 nëntor, në orën 18:30.

Me pak fjalë, shqiptarët patën vetëm një ditë për të shijuar uljen prej 3 lekësh, përpara se t’u vinte rritja prej 5 lekësh. Një ditë festë për xhepat, një ditë më pas kthim në realitet!

Dhe këtu lind pyetja: kush e kontrollon realisht këtë mekanizëm? Bordi që del me njoftime dhe vendime, apo qeveria e Edi Ramës, e cila e ka ngritur dhe e ka vënë në funksion këtë sistem ndërhyrjeje në çmimet e karburanteve?

Rama është kryeministri dhe përgjegjësia politike për këtë mekanizëm i takon qeverisë së tij. Megjithatë, mënyra se si paraqiten vendimet e Bordit krijon përshtypjen se kemi të bëjmë me një strukturë të pavarur që herë shpëton qytetarët dhe herë ua rëndon më shumë faturën.

Rama sot ka shumë arsye të jetë i qetë përballë kësaj situate, sepse nuk është hera e parë që shqiptarët përballen me këtë lloj politike. Prej vitesh ata janë mësuar me premtime, spektakle, deklarata dhe vendime që ndryshojnë nga një ditë në tjetrën. Një ditë u thuhet se po përfitojnë, ditën tjetër zbulojnë se duhet të paguajnë më shumë.

Duket sikur kryeministri ka gjetur mënyrën për të testuar vazhdimisht nervat e shqiptarëve. Sot një vendim për naftën, nesër një vendim për taksat, pasnesër një tjetër projekt i madh që do të prezantohet si sukses historik.

Dhe shqiptarët? Shumë ankesa në kafene, shumë komente në Facebook, shumë debate për politikën, por kur vjen puna te reagimi ndaj asaj që u ndodh çdo ditë, shoqëria duket sikur bie përsëri në gjumin e saj dimëror.

Janë bërë si ariu në gjumin dimëror. Mund t’u lëvizësh gjithçka përreth, mund t’u rëndosh jetën, mund t’u boshatisësh xhepat, por zgjimi duket se nuk vjen. Madje, edhe kur zgjohen për pak çaste, mjafton një tjetër spektakël politik dhe kthehen përsëri në gjumin e zakonshëm.

Po të kishin shqiptarët aq shumë vetëdije qytetare sa kanë energji për të debatuar nëpër kafene dhe rrjete sociale, ndoshta shumë prej këtyre situatave nuk do të ishin kthyer në normalitet. Sepse Rama nuk e ka nisur këtë mënyrë komunikimi me publikun sot. Ai e ka bërë prej vitesh, ndërsa qytetarët kanë parë, kanë dëgjuar, janë ankuar dhe më pas kanë vazhduar jetën sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Ironia më e madhe është se të njëjtët njerëz që ankohen për çmimin e naftës, nesër do të diskutojnë se cili politikan bëri deklaratën më të bukur, cili lider e mundi tjetrin në televizion dhe kush fitoi luftën e radhës në rrjetet sociale. Ndërkohë, fatura e karburantit do të vazhdojë të paguhet nga i njëjti xhep.

Dje kishim spektaklin e OFL-së, sot kemi spektaklin e Bordit të Transparencës. Dje na tregonin se si luftohej krimi, sot na tregojnë se si mbrohen shqiptarët nga çmimet. Por në të dyja rastet mbetet e njëjta pyetje: sa ndryshon realisht jeta e qytetarëve përtej kamerave dhe deklaratave?

Ndoshta problemi më i madh i Shqipërisë nuk është vetëm se sa lekë kushton një litër naftë, por fakti se sa shumë është mësuar shoqëria të durojë pa reaguar. Kur një popull mësohet me gjithçka, pushteti nuk ka më nevojë të lodhet për ta bindur. Mjafton t’i njoftojë vendimet dhe të presë që të nesërmen të gjithë të vazhdojnë jetën normalisht.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top