Biden u tërhoq nga gara presidenciale dhe demokratët amerikanë ndryshuan drejtimin! Po Berisha, pse nuk largua, por u rizgjodh në krye të PD-së pa konkurrent …
Nga Redaksia – Zhvillimet politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikthyer në vëmendje një debat që prej kohësh shoqëron edhe Partinë Demokratike në Shqipëri: rinovimin e lidershipit dhe hapjen e rrugës për figura të reja politike.
Joe Biden, në moshën 81-vjeçare, më 21 korrik 2024 njoftoi tërheqjen nga gara për një mandat të dytë presidencial. Vendimi erdhi pas një periudhe presioni të fortë brenda kampit demokrat, ndërsa në garë u mbështet Kamala Harris. Më 20 janar 2025, Biden përfundoi mandatin e tij presidencial.
Ndërkohë, në shkurt të vitit 2025, Partia Demokratike amerikane zgjodhi Ken Martin në krye të Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC), duke sjellë një drejtim të ri në strukturën kombëtare të partisë.
Por në Shqipëri, situata brenda Partisë Demokratike paraqet një panoramë tjetër.
Sali Berisha vijon të qëndrojë në krye të PD-së, ndërsa rikthimi dhe vazhdimësia e tij në drejtimin e partisë kanë hapur vazhdimisht diskutime për të ardhmen e opozitës shqiptare.
Një nga elementet që ngre pikëpyetje është fakti se Berisha u rikonfirmua në krye të PD-së pa pasur një konkurrent përballë në garën për drejtimin e partisë. Kjo ngre diskutimin nëse brenda demokratëve ekziston hapësira e nevojshme për konkurrencë reale, alternativa të reja dhe një proces të hapur për zgjedhjen e lidershipit.
Në një kohë kur në politikën amerikane u zhvilluan procese ndryshimi dhe riorganizimi, në PD-në shqiptare vazhdon të mbetet aktual debati mbi mundësinë e një brezi të ri drejtuesish.
Pyetja që shtrohet është e drejtpërdrejtë: nëse edhe një figurë si Joe Biden u tërhoq nga gara presidenciale dhe demokratët amerikanë kaluan drejt një drejtimi të ri, kur do të vijë momenti që Partia Demokratike e Shqipërisë të hapë një garë të vërtetë për drejtimin e saj?
A do të vazhdojë PD-ja me të njëjtin lidership, apo do të krijojë hapësirë për figura të reja që të konkurrojnë dhe të marrin përgjegjësinë për të ardhmen e opozitës?
© Copyright of PatriotikMedia.al


