VLORË/ Kriza e ujit përplaset me deklaratat e UKV-së: Fëmijë në spital, dyshime për ndotje fekale dhe kërkesë për rritjen e tarifave! Në shënjestër Bruna dhe Klevisi …
Nga Redaksia – Ndërsa drejtuesi i Ujësjellësit, Klevis Kaso, garanton se uji i pijshëm në Vlorë është i sigurt dhe se analizat në 22 pika monitorimi nuk kanë evidentuar ndotje, raportimet e qytetarëve dhe rezultatet e tjera laboratorike të bëra publike ngrenë pikëpyetje serioze. Mungesë klori, prani amoniaku, dyshime për ndotje fekale dhe fëmijë me probleme shëndetësore. Në mes të kësaj situate, Ujësjellësi kërkon edhe rritjen e çmimit të ujit.
Klevis Kaso, drejtues i Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë, ka dalë në një reagim publik për të hedhur poshtë lajmet dhe aludimet për paraqitjen e qytetarëve në spital me simptoma të dyshuara helmimi.
Ai ka garantuar se uji i rrjetit është i pastër dhe plotësisht i sigurt për përdorim, duke përdorur edhe argumentin personal se ujin e çezmës e konsumojnë familjarisht, përfshirë fëmijët e tij.
Sipas Kasos, garancia mbështetet në kontrollet zyrtare dhe analizat fiziko-kimike të kryera në 22 pika monitorimi në qytet, të cilat, sipas tij, nuk kanë evidentuar ndotje, përfshirë amoniakun dhe nitritet.
Por panorama që vjen nga raportimet e qytetarëve dhe rezultatet e tjera laboratorike të bëra publike është shqetësuese.
UJË I NDOTUR ME FEKALE, MUNGESË KLORI DHE PRANI AMONIAKU
Pas sinjalizimeve të para për problematika në dy zona të Vlorës, ku janë raportuar mungesë klori dhe prani amoniaku, situata ka marrë një tjetër dimension.
Sipas rezultateve laboratorike të publikuara, në mostrat e analizuara është evidentuar edhe ndotje fekale, një tregues që kërkon hetim të menjëhershëm dhe verifikim nga institucionet e shëndetit publik.
Ndërkohë, qytetarë të shumtë kanë raportuar probleme shëndetësore te fëmijët dhe të rriturit, përfshirë të vjella dhe dhimbje të forta barku.
Disa prindër pretendojnë se shqetësimet janë shfaqur jo vetëm pas konsumimit të ujit, por edhe pas larjes në dush. Një prej tyre ka treguar se vajza e tij është ndier keq pas një dushi të bërë mbrëmjen e së shtunës.
Raportimet për fluksin e lartë të fëmijëve në pediatrinë e spitalit të Vlorës kanë shtuar edhe më shumë shqetësimin e familjeve.
Megjithatë, lidhja shkakësore mes këtyre problemeve shëndetësore dhe ujit të rrjetit duhet të përcaktohet përmes hetimeve dhe analizave mjekësore e laboratorike.
DEPOZITAT MBI TARRACAT, NJË TJETËR RREZIK QË KËRKON VËMENDJE
Një tjetër problematikë që kërkon vëmendje të veçantë janë depozitat e ujit të vendosura mbi tarracat e pallateve në Vlorë.
Pavarësisht nëse janë në administrim privat apo të përbashkët, mungesa e pastrimit, dezinfektimit dhe kontrollit periodik mund të krijojë kushte për ndotjen e ujit që përdorin familjet.
Pamjet e publikuara nga pastrimi i njërës prej këtyre depozitave kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi kushtet higjieno-sanitare dhe mënyrën se si menaxhohen rezervuarët e ujit në pallatet e qytetit.
Kjo çështje kërkon një kontroll të organizuar dhe verifikim të gjendjes së depozitave, sepse siguria e ujit nuk varet vetëm nga cilësia e tij në momentin kur del nga rrjeti kryesor, por edhe nga kushtet e ruajtjes deri në rubinetin e konsumatorit.
BRUNA DHE KLEVISI NË SHËNJESTËR TË KRITIKAVE
Në këtë situatë, kritikat janë drejtuar edhe ndaj kryetares së Bashkisë së Vlorës, Bruna, dhe drejtuesit të Ujësjellësit, Klevisit, për përgjegjësinë institucionale që kanë në garantimin e një shërbimi jetik për qytetarët.
E mban mend njeri kur Bruna, me dorën në zemër dhe fjalët e mëdha të Hipokratit në buzë, betohej se shëndeti i njeriut ishte i shenjtë dhe mbi çdo gjë tjetër?
Sot, në një situatë ku qytetarët ngrenë shqetësime për cilësinë e ujit, ku raportohen fëmijë të sëmurë dhe ku analizat e publikuara ngrenë dyshime për ndotje fekale, qytetarët kërkojnë përgjigje nga drejtuesit e institucioneve.
Dhe natyrisht, në këtë debat është përfshirë edhe Klevisi, ish-drejtues politik i PS-së në Vlorë, i cili pas ndryshimeve në drejtimin politik është vendosur në krye të Ujësjellësit.
Kritika ndaj kësaj dysheje nuk lidhet vetëm me deklaratat publike, por mbi të gjitha me përgjegjësinë për një shërbim që prek drejtpërdrejt shëndetin dhe jetën e përditshme të mijëra familjeve.
Pyetja që shtrohet është e qartë: A do të ketë përgjegjësi institucionale për këtë situatë, apo qytetarët do të mjaftohen sërish me deklarata dhe premtime?
UJË VETËM 4 ORË NË DITË, POR KËRKOHET RRITJA E ÇMIMIT!
Sikur të mos mjaftonin shqetësimet për cilësinë e ujit, Ujësjellësi i Vlorës ka depozituar pranë Entit Rregullator të Ujit (ERRU) dokumentacionin për aplikimin e tarifave të reja.
Kjo kërkesë vjen në një kohë kur qytetarët raportojnë se furnizohen me ujë vetëm rreth katër orë në ditë.
Pra, familjet vlonjate përballen me furnizim të kufizuar, shqetësime për cilësinë e ujit dhe mundësinë e një fature më të lartë.
Problematika nuk prek vetëm Vlorën. Sipas informacioneve të bëra publike, edhe shoqëritë e ujësjellësve në Durrës, Lushnjë, Fier, Kukës, Dibër dhe Sarandë kanë dorëzuar dokumentacion për aplikimin e tarifave të reja.
- Kush mban përgjegjësi nëse konfirmohet ndotja e ujit të pijshëm?
- Pse rezultatet e analizave të ndryshme paraqesin të dhëna kontradiktore?
- A do të publikohen të gjitha rezultatet laboratorike, përfshirë analizat mikrobiologjike?
- Kush kontrollon dhe garanton pastërtinë e depozitave të ujit në pallate?
- Si justifikohet kërkesa për rritjen e tarifave kur furnizimi është vetëm katër orë në ditë?
Vlora nuk ka nevojë për deklarata qetësuese, por për transparencë, kontrolle të pavarura dhe përgjegjësi konkrete.
Dhe pyetja e fundit për drejtuesit e Bashkisë dhe Ujësjellësit: A do të japin dorëheqjen nëse përgjegjësia institucionale provohet, apo do të presin zgjedhjet e vitit 2027 me një slogan të ri: “Rroftë fekalja!”?
© Copyright of PatriotikMedia.al


