Nga Redaksia – Në tetor 2022, gjatë vizitës së tij në Jerusalem, kryeministri Edi Rama tregoi një histori të pazakontë për rreth 3 mijë hebrenj, të cilët sipas tij, në vitet 70–73 pas Krishtit, u kapën nga romakët dhe u nisën me një anije drejt skllavërisë.
Sipas rrëfimit të Ramës, hebrenjtë morën kontrollin e anijes, ndryshuan drejtimin e saj dhe përfunduan në brigjet e asaj që sot është Shqipëria. Rama e lidhi këtë histori edhe me qytetet antike të Finiqit dhe Orikumit, duke e paraqitur si një episod të rëndësishëm të historisë së hershme të pranisë hebraike në trojet shqiptare.

Por pikërisht këtu lind pyetja që kërkon përgjigje: ku është burimi antik për këtë histori?
Rama iu referua historianit hebre Flavius Josephus, një prej burimeve më të rëndësishme për periudhën e Luftës së Parë Judeo-Romake. Por në tekstin e Josephus-it që lidhet me luftimet, anijet dhe lëvizjet e hebrenjve në atë periudhë, nuk gjendet rrëfimi në formën që e paraqiti Rama: 3 mijë hebrenj, një anije romake që i çonte drejt skllavërisë, marrja e kontrollit të anijes dhe mbërritja në brigjet shqiptare.

Pra, problemi nuk është nëse një histori e tillë mund të tingëllojë interesante. Problemi është shumë më i thjeshtë: ku është dokumenti që e provon?
Nëse burimi është Flavius Josephus, atëherë duhet të ekzistojë një pasazh konkret. Duhet të thuhet libri, kapitulli dhe pjesa ku përshkruhet kjo ngjarje.

Një tjetër pikë që kërkon vëmendje është edhe lidhja e kësaj historie me Finiqin dhe Orikumin. Të dyja janë qendra të njohura të botës antike dhe dëshmitë për ekzistencën e tyre i përkasin periudhave shumë më të hershme se vitet 70–73 pas Krishtit.
Kjo e bën edhe më të rëndësishme pyetjen mbi kronologjinë: si mund të paraqitet një ngjarje e shekullit të parë pas Krishtit si histori e themelimit të qyteteve që njihen nga burime shumë më të hershme?
Në Jerusalem, kjo histori u tregua nga kryeministri i Shqipërisë si një fakt historik. Por një deklaratë politike nuk zëvendëson një burim historik.
Më poshtë mund të lexoni:
Dhe sot pyetja mbetet e hapur:
Ku është dokumenti i Flavius Josephus që tregon historinë e 3 mijë hebrenjve, marrjen e anijes dhe mbërritjen e tyre në brigjet shqiptare?
Nëse ky dokument ekziston, le të publikohet nga Rama.
Nëse nuk ekziston, atëherë historia e treguar në Jerusalem nuk mund të trajtohet si një fakt historik i provuar por si mashtrim.
© Copyright of PatriotikMedia.al

