Nga Redaksia – Disa ditë më parë plasi një skandal me Raiffeisen Bank dhe tani guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, duket se po luan bllofin duke u hedhur në “sulm”.
Skandali që preku mbi 40 mijë transaksione në Raiffeisen Bank ka ngritur pikëpyetje serioze, pasi bëhet fjalë për llogaritë dhe paratë e mijëra qytetarëve. Një anomali në procesimin e batch-it ditor bëri që transaksione të së dielës të regjistroheshin dy herë, duke shkaktuar debitime të dyfishta për qytetarët që kishin tërhequr para apo kryer pagesa me kartë.
Edhe pse situata u korrigjua një ditë më pas, problemi nuk mund të konsiderohet i mbyllur vetëm sepse shumat u rikthyen.
Sepse pyetja kryesore mbetet: si është e mundur që një problem i tillë të prekë mbi 40 mijë transaksione dhe të prekë drejtpërdrejt paratë e qytetarëve?
Më poshtë mund të lexoni:
Dhe pikërisht këtu nis përgjegjësia e Bankës së Shqipërisë.
Raiffeisen Bank, e cila në Shqipëri drejtohet nga Christian Canacaris, duhet të japë llogari për atë që ndodhi. Por përgjegjësia nuk mbaron te banka tregtare. Banka e Shqipërisë, me në krye guvernatorin Gent Sejko, është autoriteti mbikëqyrës i sistemit bankar dhe duhet t’u japë qytetarëve përgjigje të qarta.
Në vend të kësaj, ajo që po shohim është një përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen.
Gent Sejko duket se po luan bllofin duke u hedhur në “sulm”, ndërkohë që pyetjet kryesore për incidentin mbeten ende pa përgjigje.
Nuk mjafton të thuhet se është nisur një kontroll.
Më poshtë mund të lexoni:
Duhet të sqarohet çfarë e shkaktoi defektin, pse mekanizmat e kontrollit nuk e ndaluan dhe nëse proceset e testimit dhe mbikëqyrjes kanë funksionuar siç duhet.
Sepse këtu nuk kemi të bëjmë me një gabim të vogël administrativ.
Kemi të bëjmë me paratë e mijëra qytetarëve.
A po përpiqet Sejko ta zhvendosë debatin?
Pyetja që ngrihet është e drejtpërdrejtë: pse në vend që të kemi një shpjegim të plotë mbi atë që ndodhi në Raiffeisen Bank, vëmendja po zhvendoset te një “sulm” institucional?
Nëse Gent Sejko dëshiron të tregojë se Banka e Shqipërisë ka vepruar siç duhet, atëherë përgjigjja duhet të jetë shumë e thjeshtë: të bëjë publike çfarë ndodhi dhe çfarë kontrollesh ishin vendosur për ta parandaluar.
Kaq.
Qytetarët nuk kanë nevojë për lojëra politike apo institucionale.
Kanë nevojë të dinë nëse paratë e tyre janë të sigurta.
Më poshtë mund të lexoni:
Problemi bëhet edhe më serioz pas kalimit në cloud
Situata bëhet edhe më e rëndë për Raiffeisen Bank pasi incidenti ndodhi pak kohë pas kalimit të plotë të sistemeve në cloud, një transformim teknologjik i prezantuar si një arritje e rëndësishme.
Kjo nuk do të thotë se migrimi në cloud është shkaku i incidentit. Por koha e ngjarjeve kërkon që kontrolli të jetë i plotë dhe të sqarojë nëse ekziston ndonjë lidhje mes ndryshimeve teknologjike dhe problemit të shfaqur.
Nëse hetimi konstaton gabim njerëzor apo dështim në kontrollet teknike, Raiffeisen duhet të përballet me përgjegjësitë përkatëse.
Por edhe Banka e Shqipërisë duhet të japë përgjigje për rolin e saj mbikëqyrës.
Kush kontrollon kontrolluesin?
Kjo është pyetja që Gent Sejko nuk mund ta anashkalojë me një deklaratë apo me një “sulm” institucional.
Mbi 40 mijë transaksione nuk janë një shifër që mund të kalohet lehtë.
Janë mijëra qytetarë që kanë parë paratë e tyre të debitohen dy herë dhe që kanë pasur për disa orë një arsye reale për t’u shqetësuar.
Problemi mund të jetë korrigjuar teknikisht.
Por skandali i besimit nuk korrigjohet me një klikim.
Dhe për sa kohë që nuk ka një shpjegim të plotë se çfarë ndodhi, pse ndodhi dhe si do të garantohet që nuk do të përsëritet, përpjekja për ta mbyllur debatin me deklarata apo me “sulme” nuk është përgjigje.
Është thjesht përpjekje për të mbuluar diellin me shoshë.
© Copyright of PatriotikMedia.al

