Guilfoyle në Tiranë, pa shoqërim nga ambasada amerikane: Çfarë po ndodh mes Athinës, Tiranës dhe Washingtonit?

Nga Redaksia – Një ambasadore amerikane e akredituar në Athinë shkoi në Tiranë në mbrëmje, takohet me Edi Ramën dhe, sipas raportimeve, nuk shoqërohet apo pritet nga personeli i Ambasadës Amerikane në Tiranë. Përse një vizitë e tillë u zhvillua jashtë skemës së zakonshme diplomatike?

Dhe çfarë lidhjeje mund të ketë kjo me vizitën e Marco Rubio-s në Athinë?

Më 11 mars 2026, Kimberly Guilfoyle, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, u shfaq në Tiranë dhe u prit nga kryeministri Edi Rama në ambientet e Kryeministrisë.

Takimi u zhvillua në mbrëmje dhe nuk kishte pasur një njoftim paraprak publik nga autoritetet shqiptare apo nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Pikërisht mënyra e zhvillimit të kësaj vizite ngre pikëpyetjet që sot marrin një rëndësi edhe më të madhe.

Një detaj është veçanërisht intrigues: Guilfoyle, edhe pse diplomate amerikane, nuk u shfaq e shoqëruar nga personeli i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Raportimet e kohës e përshkruan këtë si një element të pazakontë të vizitës.

Ambasadorja Guilfoyle është e akredituar në Greqi, ndërsa për marrëdhëniet diplomatike të Washingtonit me Shqipërinë ekziston Ambasada e SHBA-së në Tiranë. Vetë Departamenti Amerikan i Shtetit e identifikon Ambasadën e SHBA-së në Tiranë si misionin diplomatik amerikan në Shqipëri.

Në çfarë statusi shkoi Kimberly Guilfoyle në Tiranë atë mbrëmje dhe kush e organizoi takimin e saj me kryeministrin Edi Rama?

Pse ishte Guilfoyle dhe jo Nancy VanHorn, me detyrën Chargé d’Affaires a.i (e ngarkuara me punë) në Tiranë?

Ky është një tjetër element që kërkon shpjegim.

Në vend që kontakti të zhvillohej përmes përfaqësisë diplomatike amerikane në Tiranë, në Kryeministri mbërriti ambasadorja e SHBA-së në Athinë.

Takimi ishte personal me Edi Ramën dhe u zhvillua në një atmosferë të pazakontë për një vizitë diplomatike që nuk ishte paralajmëruar publikisht.

Kush e kërkoi? Washingtoni, Athina apo Tirana?

Dhe nëse takimi ishte pjesë e një axhende zyrtare amerikane, përse kjo axhendë nuk u bë publike?

Nga takimi misterioz te marrëveshja 6 miliardë dollarëshe

Vetëm disa javë më vonë, më 28 prill, Kimberly Guilfoyle u shfaq sërish në Tiranë.

Këtë herë skenari ishte publik dhe i lidhur drejtpërdrejt me energjinë.

Ajo mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për furnizimin e Shqipërisë me LNG amerikan, një marrëveshje 20-vjeçare me vlerë të deklaruar rreth 6 miliardë dollarë. Guilfoyle vetë deklaroi se udhëtimi në Tiranë kishte për qëllim avancimin e agjendës energjetike të Presidentit amerikan Donald Trump.

Dhe pikërisht këtu, takimi i parë me Ramën merr një tjetër dimension.

A ishte energjia tema që ishte diskutuar që në takimin e parë?

Tani hyn në skenë Marco Rubio

Më 6 dhe 7 tetor, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ndodhet në Greqi.

Rubio do të drejtojë delegacionin amerikan në raundin e gjashtë të Dialogut Strategjik SHBA-Greqi, ku në qendër janë mbrojtja, siguria rajonale dhe energjia.

Pra, kemi një seri zhvillimesh që lidhen me të njëjtën hapësirë gjeografike:

Athinë – Tiranë – energji – siguri rajonale – Washington.

Guilfoyle është ambasadore në Athinë.

Ajo shkon në Tiranë dhe takohet me Ramën.

Më pas rikthehet për marrëveshjen e LNG-së.

Dhe tani Sekretari amerikan i Shtetit shkon në Athinë për të diskutuar pikërisht sigurinë dhe energjinë rajonale.

Çfarë po ndodh në prapaskenë?

Këtu PatriotikMedia.al ngre pyetjen që deri tani nuk ka marrë një përgjigje të plotë publike:

A ishte vizita e Kimberly Guilfoyle në Tiranë pjesë e një koordinimi më të gjerë amerikan për Shqipërinë dhe Greqinë?

Nëse po, pse u zgjodh pikërisht ambasadorja amerikane në Athinë për takimin me Edi Ramën?

Pse takimi u zhvillua në mbrëmje?

Pse nuk u shoqërua nga personeli i Ambasadës Amerikane në Tiranë?

Dhe mbi të gjitha:

A ka lidhje ajo vizitë me axhendën që Marco Rubio do të zhvillojë në Athinë më 6 dhe 7 tetor?

Këto janë pyetje që bëhen edhe më të rëndësishme kur në mes qëndrojnë energjia amerikane, LNG-ja, Shqipëria, Greqia dhe siguria e Europës Juglindore.

Në politikën ndërkombëtare, takimet që zhvillohen larg kamerave shpesh kanë më shumë rëndësi sesa ato që bëhen me protokoll të plotë përpara publikut.

Dhe pikërisht ky takim i Kimberly Guilfoyle me Edi Ramën, mënyra e ardhjes së saj në Tiranë dhe zhvillimet që pasuan, kërkojnë përgjigje.

© Copyright of PatriotikMedia.al

Back To Top