Nga Eduart Halimi:
A e rrëzoi Zvicra sot Sky ECC? Rruga drejt Parisit dhe kufiri mes territorialitetit dhe shtetësisë në rastin “Aruba”
Një vendim i publikuar sot, i marrë më 5 gusht 2026, me numër 7B_1429/2025, nga Bundesgericht, Gjykata Federale e Zvicrës, ka rihapur debatin mbi përdorshmërinë e provave të Sky ECC.
Por duhet bërë një saktësim i rëndësishëm: Gjykata Federale zvicerane nuk vendosi sot në themel se të dhënat e Sky ECC janë të papërdorshme. Ajo nuk hyri në themel të ankesës së prokurorisë kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të Zürich-ut, duke lënë çështjen e pranueshmërisë së provës për një fazë të mëvonshme.
Operacioni “Vanilla” dhe depërtimi në platformën e komunikimeve të koduara Sky ECC përbëjnë një nga operacionet më të rëndësishme të bashkëpunimit policor dhe gjyqësor evropian kundër krimit të organizuar, por edhe një nga çështjet më të debatuara mes juristëve dhe avokatëve.

Kam mbështetur publikisht përdorimin nga SPAK të materialeve të Sky ECC si fillim prove për të shkuar drejt zbulimit të së vërtetës. Krimi i organizuar përdor teknologjinë dhe drejtësia duhet të ketë instrumentet e nevojshme për ta luftuar.
Pa Sky ECC, një pjesë e hetimeve të rëndësishme kundër grupeve kriminale do të ishte shumë më e vështirë.
Por mbështetja ndaj një instrumenti hetimor nuk nënkupton pranimin pa kontroll të çdo prove që ai prodhon.
Përkundrazi: sa më e fuqishme dhe më invazive të jetë teknologjia e hetimit, aq më rigoroz duhet të jetë kontrolli gjyqësor mbi të.
Sot, me dosje si “Aruba”, debati mbi Sky ECC po hyn në një fazë të re. Përtej emrave dhe përmbajtjes së mesazheve, janë disa pyetje juridike që meritojnë përgjigje.
1. A mjafton fakti që je shtetas shqiptar që SPAK të ketë juridiksion?
Ky është ndoshta problemi i parë që duhet ndarë qartë.
E drejta penale njeh parimin e territorialitetit dhe parimin e shtetësisë. Janë dy baza të ndryshme juridiksioni dhe nuk duhen ngatërruar.
Territorialiteti lidhet me vendin ku është kryer vepra ose ku janë prodhuar pasojat e saj.
Parimi i shtetësisë, në kushtet e përcaktuara nga ligji, lejon që Shqipëria të ushtrojë juridiksion edhe ndaj shtetasve shqiptarë për vepra të kryera jashtë territorit.
Por ky parim nuk duhet të shndërrohet në një juridiksion universal vetëm sepse personi është shqiptar.
Marrim një situatë tipike që mund të dalë nga komunikimet Sky ECC: një shtetas shqiptar jeton jashtë vendit dhe dyshohet se diskuton për një trafik droge ndërmjet Ekuadorit dhe Holandës. Droga nuk hyn në Shqipëri. Paratë nuk kalojnë këtu. Takimet dhe veprimet materiale zhvillohen jashtë territorit shqiptar.
A mjafton shtetësia shqiptare për ta vendosur automatikisht të gjithë këtë aktivitet nën juridiksionin e SPAK?
Përgjigjja kërkon analizë konkrete të kushteve ligjore për ushtrimin e juridiksionit shqiptar mbi veprat e kryera jashtë vendit.
Nëse, për shembull, paratë e dyshuara investohen në Shqipëri ose kryhen këtu veprime që dyshohet se përbëjnë pastrim të produkteve të veprës penale, mund të krijohet një lidhje territoriale konkrete me Shqipërinë.
Prandaj, territorialiteti dhe shtetësia duhen analizuar veçmas. Njëri nuk mund të përdoret automatikisht për të mbuluar mungesën e tjetrit.
2. Ku është kryer në të vërtetë përgjimi i Sky ECC?
Në pamje të parë përgjigjja duket e thjeshtë: në Francë.
Por pikërisht zhvillimet e fundit në Zvicër tregojnë se problemi është më kompleks.
Nëse operacioni teknik ka ndërhyrë jo vetëm mbi serverët, por edhe mbi pajisjet fundore të përdoruesve, atëherë lind pyetja se ku ndodheshin fizikisht këto pajisje.
Telefoni mund të ishte në Zürich, Amsterdam, Tiranë, Dubai apo Ekuador.
Kjo do të thotë se vendndodhja e serverit nuk zgjidh domosdoshmërisht çështjen e territorialitetit të përgjimit.
Pyetja është:
Ku është realizuar juridikisht ndërhyrja në komunikim: aty ku ndodhej serveri apo aty ku ndodhej pajisja e përgjuar?
Kjo nuk është thjesht çështje teknike. Është çështje juridiksioni dhe sovraniteti.
3. Çfarë na mëson rasti i Zvicrës?
Më 15 gusht 2025, Gjykata e Apelit e Zürich-ut e konsideroi materialin Sky ECC të papërdorshëm në një çështje penale që kishte përpara. Sipas analizës së vendimit, gjykata arsyetoi ndër të tjera mbi cenimin e sovranitetit territorial zviceran dhe mungesën e dyshimit të individualizuar të kërkuar për një masë të tillë hetimore.
Prokuroria e Zürich-ut e kundërshtoi vendimin në Gjykatën Federale.
Por vendimi i 5 gushtit 2026, 7B_1429/2025, nuk e zgjidhi në themel pyetjen nëse Sky ECC është i pranueshëm apo jo. Gjykata Federale nuk hyri në shqyrtimin e meritës së kësaj çështjeje në këtë fazë procedurale.
Kjo është shumë e rëndësishme.
Pra, është e pasaktë të thuhet se “Gjykata Federale e Zvicrës rrëzoi Sky ECC”.
Më saktë: Gjykata Federale la në fuqi për momentin efektin procedural të vendimit të Zürich-ut, pa dhënë një vendim përfundimtar mbi themelin e ligjshmërisë së materialit Sky ECC.
Megjithatë, rëndësia e çështjes është e madhe.
Ajo tregon se në hetimet digjitale ndërkufitare nuk mjafton të thuhet:
“Serveri ishte në Francë, prandaj gjithçka ishte franceze dhe prova është automatikisht e vlefshme.”
Nëse ndërhyrja teknike shtrihet mbi pajisje që ndodhen në territorin e një shteti tjetër, territorialiteti rikthehet menjëherë në qendër të analizës.
Dhe kjo pyetje nuk është vetëm zvicerane.
4. A kemi të bëjmë me përgjim individual apo me mbledhje masive të komunikimeve?
Ky është një tjetër dallim që nuk duhet anashkaluar.
Në përgjimin klasik ekziston një person i dyshuar, një procedim penal, një kërkesë e individualizuar dhe një autorizim gjyqësor për një objekt konkret përgjimi.
Sky ECC ka një dimension tjetër.
Operacioni prodhoi një volum të jashtëzakonshëm komunikimesh të mijëra përdoruesve në shumë shtete, një pjesë e të cilëve u identifikuan si persona nën hetim pasi materiali ishte mbledhur dhe analizuar.
Kjo ngre një pyetje themelore:
Deri ku mund të shkojë mbledhja masive e komunikimeve përpara se të cenohet kërkesa për individualizim, proporcionalitet dhe kontroll gjyqësor?
Suksesi teknik i një operacioni policor nuk i jep automatikisht përgjigje kësaj pyetjeje.
Një operacion mund të jetë jashtëzakonisht i suksesshëm kundër krimit të organizuar dhe, njëkohësisht, përdorimi i provës së prodhuar prej tij ndaj një personi konkret duhet t’i nënshtrohet kontrollit të plotë gjyqësor.
5. Çfarë problemi ngre konkretisht rasti “Aruba”?
“Aruba” e bën debatin shqiptar shumë më konkret.
Në këtë dhe në procedime të tjera, komunikimet Sky ECC përdoren për të lidhur persona dhe takime të zhvilluara jashtë Shqipërisë me transaksione, investime apo veprime të dyshuara të kryera në Shqipëri. Raportime publike mbi dosjen “Aruba” kanë përshkruar përdorimin e komunikimeve Sky ECC në hetimet e SPAK dhe dyshimet për investime e pasuri në Shqipëri.
Nëse pretendohet se paratë e ardhura nga aktiviteti kriminal janë investuar ose pastruar në Shqipëri, ekziston një element territorial shqiptar që duhet të hetohet dhe provohet.
Por çfarë ndodh me personat për të cilët droga, paratë, takimet dhe veprimet e dyshuara kriminale ndodhen tërësisht jashtë Shqipërisë?
A mjafton shtetësia?
Dhe, më tej, çfarë ndodh kur prova kryesore ndaj tyre është materiali Sky ECC i prodhuar jashtë vendit?
Këtu “Aruba” nuk është më vetëm një dosje penale.
Ajo mund të bëhet një rast interesant për të testuar kufijtë e juridiksionit shqiptar dhe standardin e kontrollit të provës së importuar nga një juridiksion tjetër.
6. A mund ta kontrollojë gjykata shqiptare ligjshmërinë e provës franceze?
Këtu qëndron, sipas meje, një nga problemet më të rëndësishme.
Prova Sky ECC që ndodhet sot në dosjet shqiptare nuk është prodhuar nga SPAK.
Ajo është krijuar nëpërmjet një operacioni të autoriteteve të huaja dhe më pas është transferuar në Shqipëri.
Gjykata shqiptare ka kompetencën të shqyrtojë mënyrën se si prova është administruar dhe përdorur në procesin shqiptar.
Por pyetja është tjetër:
A mundet një gjykatë shqiptare të deklarojë të ligjshëm ose të paligjshëm vetë operacionin teknik francez?
A mund të kontrollojë vlefshmërinë e autorizimeve franceze, mënyrën e ekzekutimit të tyre apo proporcionalitetin e ndërhyrjes së autoriteteve franceze?
Këtu lind diskutimi.
Nëse gjykata shqiptare nuk ka juridiksion mbi veprimet e autoriteteve franceze, ndërsa personi ndaj të cilit përdoret prova nuk ka mundësi reale ta kundërshtojë atë në Francë, atëherë lind pyetja nëse krijohet një boshllëk procedural.
Prova udhëton nga një shtet në tjetrin, por e drejta për ta kundërshtuar atë nuk duhet të humbasë gjatë rrugës.
7. A të çon përfundimisht përballja juridike në Paris?
Kjo është ndoshta pyetja më interesante për fazën që vjen.
Çështja C-625/25, Prudniez, e referuar nga Gjykata e Kasacionit të Francës në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, është aktualisht në pritje dhe lidhet pikërisht me të drejtën për një mjet juridik efektiv ndaj provave të mbledhura në një shtet dhe të përdorura në një proces penal në një shtet tjetër.
Pyetjet e referuara në këtë çështje lidhen me nenin 14 të Direktivës 2014/41/BE për Urdhrin Evropian të Hetimit dhe nenin 47 të Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së, duke pyetur nëse personi ndaj të cilit përdoren prova të marra përmes një urdhri evropian hetimi duhet të ketë një mjet juridik në shtetin ekzekutues për të kundërshtuar ligjshmërinë dhe domosdoshmërinë e tyre.
Në çështjen Prudniez bëhet fjalë për të dhëna Sky ECC të mbledhura në Francë dhe më pas të përdorura në procedime penale jashtë Francës.
Nëse jurisprudenca evropiane shkon drejt forcimit të këtij standardi, pasojat mund të jenë të rëndësishme për shumë procese që mbështeten në prova të mbledhura ndërkufitarisht.
Sepse mbrojtja nuk do të duhet të diskutojë vetëm në Tiranë nëse një mesazh është autentik apo nëse lidhet me një person të caktuar.
Ajo mund të kërkojë edhe kontrollin e mënyrës se si prova është krijuar.
Dhe kur burimi i provës është Franca, një pjesë e kësaj beteje juridike mund të çojë drejt Parisit.
Nga “çfarë thonë mesazhet?” te “kush kishte të drejtë t’i merrte?”
Për vite, debati mbi Sky ECC është përqendruar kryesisht te përmbajtja e komunikimeve.
Por zhvillimet e fundit po hapin pyetje të tjera, ndoshta edhe më të rëndësishme:
Kush kishte juridiksion për përgjimin?
A ishte ndërhyrja territorialisht e ligjshme?
A mund të zëvendësojë parimi i shtetësisë mungesën e një lidhjeje territoriale me Shqipërinë?
A kemi të bëjmë me përgjim të individualizuar apo me mbledhje masive të komunikimeve?
Dhe ku mund ta kundërshtojë efektivisht mbrojtja ligjshmërinë e provës?
Këto pyetje nuk janë për të vënë në dyshim luftën kundër krimit të organizuar.
Përkundrazi, janë pikërisht pyetjet që duhet të bëjë një sistem drejtësie që kërkon që rezultatet e luftës kundër krimit të qëndrojnë edhe përballë kontrollit gjyqësor.
Rasti zviceran ka rikthyer në qendër territorialitetin.
Dosjet shqiptare, përfshirë “Aruba”, ngrenë problemin e kufijve të parimit të shtetësisë.
Ndërsa çështja C-625/25 Prudniez ngre një pyetje të tretë: ku dhe si kontrollohet ligjshmëria e provës së prodhuar në Francë dhe të përdorur më pas në një shtet tjetër?
Këtu mund të jetë edhe faza e ardhshme e betejës juridike mbi Sky ECC.
Sepse edhe prova më e fortë duhet të ketë një gjykatë përpara së cilës mund të sfidohet.
Dhe kur prova është krijuar në Francë, gjithnjë e më shumë duket se një pjesë e kësaj rruge juridike mund të çojë drejt Parisit.
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

