Gjykata e Lartë largon Sadushin, por lë hapur derën për një “Sadush” të ri të Rilindjes …

Më 17 tetor përfundon mandati i Sokol Sadushit si kryetar i Gjykatës së Lartë. Por ndryshimi i emrit në krye të institucionit nuk mjafton për të bindur shqiptarët se drejtësia është bërë më e pavarur

Nga Redaksia – Në Shqipëri flitet prej vitesh për reformën në drejtësi, pavarësinë e institucioneve dhe një sistem gjyqësor që duhet të jetë mbi çdo ndikim politik. Por sa herë vjen momenti i ndryshimit të drejtuesve të institucioneve të drejtësisë, rikthehet e njëjta pyetje: a ndryshon vërtet sistemi, apo ndryshon vetëm emri i personit që qëndron në krye?

Gjykata e Lartë ka hapur zyrtarisht procedurën për zgjedhjen e kryetarit të ri, i cili do të pasojë Sokol Sadushin në drejtimin e institucionit më të lartë të gjyqësorit shqiptar.

Sadushi u zgjodh kryetar më 17 tetor 2023 dhe mandati i tij trevjeçar përfundon më 17 tetor 2026. Procedura për zgjedhjen e pasuesit është hapur 60 ditë përpara përfundimit të mandatit, në përputhje me parashikimet ligjore.

Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë që duan të kandidojnë kanë afat deri më 11 shtator 2026 për të paraqitur kandidaturën. Përveç kërkesës me shkrim, kandidatët duhet të paraqesin edhe platformën e tyre për mënyrën se si synojnë të drejtojnë gjykatën.

Më pas, vendimi do të merret nga Mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Kryetari zgjidhet nga radhët e anëtarëve të kësaj gjykate, me votim të fshehtë.

Mandati do të jetë tre vjet dhe ligji nuk lejon rizgjedhjen në këtë funksion.

Kryetari i ri pritet të marrë detyrën më 18 tetor 2026, një ditë pas përfundimit të mandatit të Sadushit, duke shmangur një vakum në drejtimin e institucionit.

Sadushi largohet nga posti, jo nga Gjykata

Por këtu ndodhet edhe një detaj që shpesh humbet në debatin publik.

Sokol Sadushi nuk largohet nga Gjykata e Lartë.

Ai do të vazhdojë të jetë gjyqtar i saj deri në vitin 2029. Sadushi u emërua gjyqtar i Gjykatës së Lartë në mars 2020.

Pra, më 17 tetor ndryshon drejtuesi i institucionit, por jo gjyqtari Sokol Sadushi.

Karriera e tij në sistemin e drejtësisë është e gjatë. Ai ka shërbyer si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, drejtor i Shkollës së Magjistraturës, ndërsa përpara zgjedhjes si kryetar ishte gjyqtar dhe zv/kryetar i Gjykatës së Lartë.

A mjafton ndryshimi i kryetarit?

Pikërisht këtu nis debati politik dhe institucional.

Për qytetarin e zakonshëm, drejtësia nuk matet vetëm me procedurën se si zgjidhet një kryetar gjykate. Ajo matet me vendimet, me shpejtësinë e proceseve, me barazinë përpara ligjit dhe mbi të gjitha me bindjen se askush nuk është mbi drejtësinë dhe asnjë pushtet politik nuk mund ta përdorë atë sipas interesave të veta.

Prandaj, ndryshimi i Sokol Sadushit nga posti i kryetarit nuk duhet të shihet automatikisht si një ndryshim i sistemit.

Pyetja e vërtetë është: kush do ta pasojë dhe çfarë garancish do të ketë që kryetari i ri do të jetë një figurë e pavarur, e pakushtëzuar dhe e distancuar nga çdo ndikim politik?

Nëse emri ndryshon, por mënyra e funksionimit mbetet e njëjtë, atëherë shqiptarët thjesht do të kenë një drejtues të ri me të njëjtën filozofi.

Një “Sadush” i ri, jo domosdoshmërisht në person, por në modelin e drejtimit.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top