Nga Redaksia –Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar publikisht pas debatit të krijuar mbi deklaratën e tij të pasurisë, ku rezulton se në shtator të vitit të kaluar ai ka deklaruar shitjen e një pasurie të paluajtshme për vlerën prej 15 milionë euro.
Në reagimin e tij, Shehaj nuk dha një sqarim teknik mbi mënyrën e vlerësimit të pronës apo arsyet e çmimit të deklaruar, por publikoi një fotografi të vilës së tij të pushimeve në Itali, duke konfirmuar se bëhet fjalë për të njëjtën pasuri.
“Po, kjo është vila ime e plazhit në Itali. Nuk është zbulim i Taos dhe as i mediave të tyre, por është deklarimi që vetë unë kam bërë. Pasuria ime e vënë me punë të ndershme. Jam krenar për çfarë kam arritur sepse partnerët e mi kanë qenë gjigandët si ‘Vodafone’ e ‘Google’. Kam punësuar mijëra të rinj, kam paguar taksa. Askush s’më ka falur asgjë dhe nuk kam asgjë për të fshehur,” – shkruan Shehaj.
Debati nisi pasi në deklaratën e pasurisë rezulton se është shitur një pasuri e përshkruar si truall dhe ndërtesë me sipërfaqe totale 251 metra katrorë për 15 milionë euro. Vlera e deklaruar ka ngjallur diskutime dhe pikëpyetje në opinionin publik, pasi në të njëjtin dokument deklarohen edhe blerje të pronave të tjera në Itali me sipërfaqe dukshëm më të mëdha, por me çmime shumë më të ulëta.
Klikoni mbi link:
https://rumble.com/shorts/v7cosaq
Në reagimin e tij, Shehaj këmbëngul se e gjithë pasuria e tij është krijuar përmes aktivitetit në biznes dhe punës së ndershme, duke theksuar bashkëpunimin ndër vite me kompani të njohura ndërkombëtare. Ai shfrytëzoi gjithashtu rastin për të sulmuar kundërshtarët politikë, duke deklaruar se, ndryshe prej tyre, pasurinë nuk e ka krijuar përmes politikës, por përmes sipërmarrjes.
Çështja e deklarimit të pasurisë së kreut të Partisë Mundësia vijon të jetë pjesë e debatit publik, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë sqarime të mëtejshme mbi vlerësimin e pronës dhe elementët që kanë çuar në deklarimin e një vlere prej 15 milionë eurosh. /VNA.AL
Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

