BBC nxjerr prapaskenat: Gazetari Guy De Launey vë Ramën përballë pyetjes së “ndjeshme” për SPAK dhe rrethin e tij të ngushtë …

Nga Redaksia – Në një moment kur Shqipëria ndodhet në natën e 35-të të protestave masive, me mijëra qytetarë në sheshe që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, një zhvillim i ri mediatik ka hedhur më shumë dritë mbi klimën politike në vend.

Gazetari i BBC, Guy De Launey, ka zbuluar prapaskenat e intervistës së zhvilluar me kryeministrin Edi Rama, në një moment tejet të tensionuar politik dhe institucional për Shqipërinë.

Sipas vetë korrespondentit të BBC-së, një nga pyetjet më të forta të intervistës ka prekur drejtpërdrejt hetimet e SPAK ndaj figurave të larta të mazhorancës, përfshirë bashkëpunëtorët më të afërt të Ramës, mes tyre edhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

De Launey ka treguar se, në këtë kontekst, ai e ka pyetur kryeministrin nëse zhvillimet e fundit dhe hetimet ndaj rrethit të tij politik krijojnë arsye për shqetësim edhe për vetë atë.

Gazetari shkruan fjalë për fjalë se reagimi i Ramës ka qenë i dukshëm:

“Sytë e Edi Ramës u zgjeruan dukshëm kur e pyeta nëse duhej të shqetësoheshim për të. Dhe unë nuk po pyesja për shëndetin e kryeministrit shqiptar. Sepse, ndërsa disa tituj do t’ju thonë se protestat e natës në Shqipëri kanë të bëjnë me flamingot dhe Jared Kushner, ka shumë më tepër se kaq. Në fakt, pothuajse gjithçka. Dhe pas gjithë kësaj qëndrojnë akuzat ndaj zotit Rama. Kështu që e pyeta: nëse aleatët tuaj më të afërt politikë janë nën hetim nga prokurorët antikorrupsion, a duhet të shqetësohemi edhe për ju?”

Sipas raportimit të gazetarit të BBC-së, kjo pyetje ka goditur thelbin e debatit politik aktual në Shqipëri, ku tensioni mes protestave në rrugë dhe hetimeve të institucioneve të drejtësisë po rritet çdo ditë.

Në sfondin e një situate të ndezur politike dhe të një presioni në rritje nga opinioni publik, deklarata të tilla nga media ndërkombëtare si BBC pritet të shtojnë edhe më shumë vëmendjen ndaj zhvillimeve në Tiranë.

Gazetari Guy De Launey thekson se pas gjithë narrativave të thjeshtuara që qarkullojnë në media, realiteti i krizës politike në Shqipëri është shumë më kompleks dhe lidhet drejtpërdrejt me akuzat dhe hetimet që po prekin majat e pushtetit.

Ndalohet kopjimi sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top