Kosova voton sot – Sot flet sovrani!

Nga Redaksia – Sot është dita kur qytetarët e Kosovës marrin në dorë fatin e vendit të tyre. Sot nuk flasin partitë, nuk flasin analistët dhe as diplomatët e huaj – sot flet sovrani!

Gjithçka varet prej jush, prej secilit qytetar që do të shkojë pranë kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tij të lirë. Me shpresën dhe besimin se asnjë votë nuk do të manipulohet, institucionet kanë paralajmëruar masa të shtuara sigurie dhe monitorimi të procesit zgjedhor. Në gjendje gatishmërie janë rreth 100 prokurorë dhe shumë komisionerë në vendvotime, për të garantuar integritetin e votës së qytetarëve.

Mesazhi për qytetarët është i qartë: dilni dhe votoni! Mos lejoni askënd të vendosë në emrin tuaj. Demokracia jeton vetëm atëherë kur populli merr pjesë dhe shpreh vullnetin e tij.

Ndërkohë, diaspora shqiptare e Kosovës votoi dje në 30 përfaqësi diplomatike nëpër botë, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, procesi ka kaluar pa probleme të mëdha dhe me pjesëmarrje të konsiderueshme të bashkatdhetarëve.

Këto janë zgjedhjet e treta me radhë brenda vetëm 16 muajve, çka tregon krizën e vazhdueshme politike dhe përplasjet për drejtimin e shtetit të Kosovës. Në garë marrin pjesë 23 parti politike dhe tre koalicione parazgjedhore.

Lëvizja Vetëvendosje garon në koalicion me tri parti më të vogla, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) garojnë të vetme në këto zgjedhje. Për herë të parë në garë është edhe PSD. Në proces marrin pjesë gjithashtu edhe shumë parti të minoriteteve.

Të drejtë vote kanë mbi dy milionë qytetarë, përfshirë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës. Procesi i votimit zhvillohet në 949 qendra votimi me gjithsej 2,550 vendvotime. Prej tyre, 911 qendra me 2,498 vendvotime janë për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra – nga një për secilën komunë – janë caktuar për votimin me kusht.

Në mbrëmje, menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, priten rezultatet e para të exit polleve, edhe pse eksperiencat e zgjedhjeve të kaluara kanë treguar se ato jo gjithmonë kanë rezultuar të sakta.

Kosova sot ndodhet përballë një momenti të rëndësishëm politik dhe kombëtar. Çdo votë është një zë. Çdo qytetar është pjesë e fatit të shtetit. Prandaj, sot më shumë se kurrë, fjala i takon popullit.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *