A ka lidhje Franca me Zvërnecin sipas Ramës?

Nga Redaksia – Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur sërish të përdorë modele të huaja për të justifikuar projektet dhe politikat që po shtyhen në Shqipëri, këtë herë duke marrë si shembull rajonin francez të Camargue për të folur mbi Zvërnecin dhe lagunat shqiptare.

Në një postim të gjatë, Rama shkruan se “natyra nuk është domosdoshmërisht kundërshtare e zhvillimit”, duke pretenduar se modeli francez tregon se ekonomia dhe biodiversiteti mund të bashkëjetojnë. Ai përmend flamingot, lagunat dhe biodiversitetin si shembuj të ruajtjes së natyrës në funksion të zhvillimit ekonomik.

Por pyetja që shtrohet sot është më e madhe sesa propaganda romantike me flamingo dhe peizazhe turistike:

A ka vërtet lidhje Camargue me Zvërnecin? Apo po përdoret Franca si justifikim për betonizimin dhe privatizimin e bregdetit shqiptar?

Rama deklaron:

“Pyetja nuk është nëse natyra dhe ekonomia mund të bashkëjetojnë. Pyetja është nëse kemi vizionin për ta kthyer natyrën në një aset të ekonomisë.”

Mirëpo kritikët thonë se problemi në Shqipëri nuk është mungesa e “vizionit”, por mungesa e besimit tek institucionet që kanë lejuar shkatërrimin e vijës bregdetare, betonizimin e zonave turistike dhe dhënien e pasurive publike për interesa klienteliste.

Ndryshe nga Franca, ku modelet e mbrojtjes së natyrës kontrollohen nga institucione të forta dhe ligje të pakompromis, në Shqipëri qytetarët kanë parë shpesh sesi projektet “strategjike” përfundojnë në duart e oligarkëve, ndërsa komunitetet lokale mbeten jashtë përfitimeve.

Zvërneci nuk është thjesht një peizazh turistik. Ai është një pasuri kombëtare me rëndësi historike, ekologjike dhe kulturore për gjithë shqiptarët. Lagunat e Nartës dhe biodiversiteti i zonës nuk mund të trajtohen si dekor propagandistik për investime që nesër mund të ndryshojnë përgjithmonë identitetin e zonës.

Nëse Rama kërkon të krahasojë Shqipërinë me Francën, atëherë shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë edhe standardet franceze të transparencës, mbrojtjes së natyrës dhe kontrollit mbi korrupsionin.

Sepse problemi nuk është teoria se natyra dhe zhvillimi mund të ecin bashkë.

Problemi është: kujt i shërben zhvillimi në Shqipëri?

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *