Al Jazeera nxjerr zbuluar planin për Sazanin: “Kushner Island” – Shqiptarët në protestë kundër shitjes së bregdetit shqiptar …

Nga Redaksia – Media ndërkombëtare Al Jazeera i ka kushtuar një tjetër artikull të gjatë dhe kritik projektit luksoz të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në ishullin e Sazanit dhe zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, duke e cilësuar atë si një projekt që ka ndezur zemërim dhe protesta masive në Shqipëri.

Në artikullin me titull “Kushner Island? Why a planned resort has provoked protests in Albania”, Al Jazeera përshkruan mënyrën sesi projekti miliarda eurosh po shihet nga shumë shqiptarë si një grabitje e pasurive kombëtare dhe një kërcënim serioz për natyrën, historinë dhe sovranitetin ekonomik të vendit.

Sipas Ivanka Trump, gjithçka nisi rastësisht gjatë një udhëtimi me jaht në brigjet shqiptare.

“Ishim në barkën e një miku dhe ndaluam për të notuar. Kështu e zbuluam ishullin”, deklaroi ajo për podcasterin amerikan David Senra, duke treguar sesi ajo dhe Jared Kushner u “magjepsën” nga Sazani.

Por ndërsa për familjen Kushner ishulli ishte një “zbulim”, për mijëra shqiptarë ai po kthehet në simbolin e shitjes së Shqipërisë tek oligarkët dhe miliarderët e huaj.

AL JAZEERA: BULLDOZERËT NDEZËN REVOLTËN

Artikulli thekson se protestat shpërthyen pasi në zonë u shfaqën eskavatorë, makineri të rënda dhe tela me gjemba që bllokuan hyrjen në plazhe publike.

Qytetarë, ambientalistë dhe aktivistë u përplasën me rojet private të kompanive që po përgatisin terrenin për resortin luksoz.

Në Tiranë mijëra protestues dolën për disa net radhazi përballë kryeministrisë me pankarta:

“Shqipëria nuk është në shitje”
“Kombi nuk shitet”
“Nuk e duam Shqipërinë si Dubai”

Sipas Al Jazeera, zemërimi publik lidhet jo vetëm me privatizimin e brigjeve, por edhe me frikën se Shqipëria po humbet një nga zonat më të paprekura natyrore në Adriatik.

PROJEKTI MILIARDERËSH NË ZONË TË MBROJTUR

Plani i lidhur me Jared Kushner parashikon ndërtimin e hoteleve luksoze, vilave elitare dhe apartamenteve turistike në zonën e mbrojtur të deltës Vjosë-Nartë dhe transformimin e ish-bazës ushtarake komuniste në Sazan në resort privat.

Qeveria shqiptare i dha statusin “investitor strategjik” kompanisë Atlantic Incubation Partners, e lidhur me fondin Affinity Partners të Kushner.

Vetëm investimi në ishullin e Sazanit përllogaritet në rreth 1.6 miliardë dollarë, ndërsa Edi Rama ka folur për një projekt total prej afro 4 miliardë eurosh në gjithë zonën e Vlorës.

AL JAZEERA: DYSHIME PËR TRANSPARENCËN DHE PRONAT

Media ndërkombëtare ngre gjithashtu pikëpyetje serioze për transparencën e projektit, procedurat ligjore dhe origjinën e fondeve.

Sipas artikullit, SPAK ka hapur hetime për ndryshimet në statusin e zonës së mbrojtur të Vjosë-Nartës, si dhe për mënyrën sesi janë anashkaluar procedurat normale të tenderimit publik.

Po ashtu përmenden konfliktet e shumta të pronësisë që ekzistojnë në zonë prej rënies së komunizmit.

Ambientalistët paralajmërojnë se projekti mund të shkatërrojë habitatet e flamingove rozë dhe të shumë specieve të mbrojtura migratore përgjatë Adriatikut.

“Shqipëria nuk duhet të bëhet Dubai i Ballkanit”, deklaroi për Al Jazeera ekspertja e turizmit të qëndrueshëm Eva Kushova.

Ajo akuzon qeverinë se po ndërton një model turizmi që përfiton vetëm miliarderët, ndërsa qytetarët humbasin plazhet dhe pronat e tyre.

EDHE BASHKIMI EUROPIAN HODHI SINJALE

Artikulli i Al Jazeera vëren se çështja ka marrë tashmë edhe dimension europian.

Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa i kujtoi publikisht Edi Ramës se Shqipëria duhet të respektojë standardet mjedisore të Bashkimit Europian nëse kërkon anëtarësimin në BE.

Megjithatë Rama mbrojti projektin duke deklaruar se:

“Nëse një turist paguan 2 mijë euro nata, përfiton kuzhinieri, shoferi, peshkatari dhe bizneset lokale.”

Por kritikët e projektit thonë se realiteti është ndryshe: plazhet po privatizohen, ndërsa komunitetet lokale po mbeten jashtë çdo përfitimi real.

Ndërkohë protestat pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa zemërimi publik kundër projektit të Sazanit po rritet dita-ditës.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *