Kush i mblodhi protestuesit në Tiranë: Pasaporta Europiane e Ramës apo ‘Fol T ore’ e Berishës?

Nga Redaksia – Protesta e qytetarëve, ashtu siç ishte paralajmëruar, nisi të dielën dhe vazhdoi dhe të hënën në orën 18:00 si marshimi i radhës kundër ndërtimeve në Zvërnec dhe kundër dhunës së ushtruar ndaj protestuesve nga policia private.

Qytetarë të shumtë u mblodhën fillimisht pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, në një protestë që u zhvillua paqësisht, por me një mesazh të fortë politik dhe kombëtar.

Siç u pa edhe në rrjetet sociale dhe në disa media, marshimit iu bashkuan të rinj, familjarë dhe prindër me fëmijë. Në duart e protestuesve valëviteshin flamuj kombëtarë dhe pankarta kundër projektit në Zvërnec, ndërsa në sfond dëgjoheshin këngë patriotike.

Kjo protestë erdhi vetëm një ditë pas marshimit të së dielës, ku qytetarë të shumtë ndoqën të njëjtin itinerar. Organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në ditët në vijim, ndërsa ajo që ra në sy ishte fakti se numri i pjesëmarrësve të hënën ishte dukshëm më i lartë se një ditë më parë.

Por pyetja që shtrohet sot është: Kush e frymëzoi realisht këtë protestë?
“Pasaporta Europiane” e Rilindjes apo “Fol To Tore” e opozitës?

Kryeministri Edi Rama, mjeshtër i njohur i propagandës dhe manipulimit politik, reagoi sërish përmes një postimi në platformën “X”, ku deklaroi se ende nuk ekziston një projekt përfundimtar për Zvërnecin, pasi sipas tij ai po punohet nga pesë studio të ndryshme arkitekturore. Rama premtoi se projekti do të bëhet publik sapo të përfundojë.

Në të njëjtën deklaratë, Rama e cilësoi investimin si “historik”, me vlerë rreth 4 miliardë euro, duke shtuar se “e vërteta vonon, por nuk harron”, ndërsa sipas tij “gënjeshtrat kanë filluar të pengohen në këmbët e tyre të shkurtra”.

Nga ana tjetër, opozita zyrtare duket e paqartë dhe pa një qëndrim të fortë publik. Sali Berisha ka zgjedhur të heshtë personalisht, duke lënë sekretarin dhe drejtuesin mediatik Çim Peka të artikulojë reagimet politike në emër të opozitës. Një situatë që po komentohet gjerësisht edhe në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë pyesin: Pse nuk flet vetë kryetari i Partisë Demokratike për një çështje që ka ndezur protestë kombëtare?

Në fund, ajo që mbetet e qartë është se Zvërneci nuk po trajtohet më thjesht si një debat për një investim turistik. Për shumë qytetarë, ai është kthyer në simbol të përplasjes mes pushtetit, interesave të mëdha ekonomike dhe identitetit kombëtar.

Dhe ndërsa protestat shtohen çdo ditë, pyetja më e madhe mbetet ende pa përgjigje:
A po protestojnë shqiptarët për tokën e tyre, apo politika po përpiqet t’i përdorë edhe një herë si dekor për luftën e saj të përhershme për pushtet?

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *