Nga Redaksia – Një tjetër përplasje dhe pakënaqësi duket se ka shpërthyer brenda Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHASH), pas procesit të fundit zgjedhor për drejtimin e institucionit. Dokumentet e siguruara tregojnë listat e kandidatëve për kryesinë dhe për postin e kryetarit, ndërsa reagimet publike kanë nisur menjëherë pas përfundimit të votimeve.
Sipas dokumenteve të votimit të datës 19 maj 2026, në garën për kryetar të LSHASH-së kanë qenë vetëm dy kandidatë: Mujo Buçpapaj dhe Parid Pjeternikaj. Ndërkohë, në listën për kryesinë shfaqen emra të njohur të botës letrare dhe artistike shqiptare, por edhe kandidatë të rinj të propozuar në momentet e fundit.
Pas rezultatit, ka reaguar publikisht shkrimtarja dhe publicistja Emi Krosi, e cila ka uruar Mujo Buçpapajn për marrjen e drejtimit të LSHASH-së, por njëkohësisht ka shpërthyer me akuza të forta ndaj asaj që ajo e quan “Rilidhja e vjetër”.
Në reagimin e saj publik, Krosi shkruan:
“I uroj Mujo Bucpapaj, suksese si Kryetar i ri i LSHASH.
Por, ju kërkoj falje por Lidhja që mbeti Rilidhja e vjetër me emra të konsumuar që asnjë mekanik nuk i riparon dot. Shumë e zhgënjyer, por lirinë time nuk e shes! UNË TËRHIQEM PËRFUNDIMISHT NGA (RI)LIDHJA.”


Ky reagim ka hapur debat në qarqet letrare dhe artistike, pasi për herë të parë një zë publik largohet në mënyrë kaq të prerë nga organizata, duke e cilësuar atë si një strukturë të mbetur peng e figurave të vjetra dhe mentalitetit të konsumuar.
Dokumentet e votimit hedhin dritë mbi mënyrën e organizimit të Kuvendit VII të Riorganizimit të LSHASH-së në Tiranë. Në fletët e votimit shfaqen dhjetëra kandidatë për kryesi, ndërsa në fund të listës vihet re edhe shtimi me dorë i një emri tjetër kandidat, çka mund të ngrejë pikëpyetje mbi procedurat dhe transparencën e procesit.
Kritikët e institucionit prej kohësh kanë akuzuar LSHASH-në se është kthyer në një strukturë formale, pa ndikim real në jetën kulturore shqiptare, ndërsa shumë krijues të rinj ndihen të përjashtuar dhe pa përfaqësim.
Nga ana tjetër, mbështetësit e drejtimit të ri shprehen se zgjedhja e Mujo Buçpapajt mund të sjellë një frymë tjetër dhe një përpjekje për ringritjen e institucionit, që prej vitesh ka humbur peshën që kishte dikur në jetën kulturore të vendit.
Megjithatë, largimi publik i Emi Krosit tregon se përplasjet brenda botës letrare shqiptare janë larg mbylljes dhe se debati për reformimin e institucioneve kulturore sapo ka nisur.
