Nga Redaksia – Kandidati i propozuar nga Donald Trump për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt, do të paraqitet nesër përpara Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin amerikan, në kuadër të procedurës zyrtare të konfirmimit diplomatik. Seanca dëgjimore është planifikuar për datën 20 maj 2026 në Senatin e SHBA-së.
Wendt konsiderohet një figurë me peshë në strukturat ushtarake amerikane dhe të NATO-s. Ai është ish-gjeneral me tre yje i ushtrisë amerikane dhe ka mbajtur postin e komandantit të forcave speciale të NATO-s në Evropë, duke drejtuar operacione dhe struktura të rëndësishme të Aleancës. Për më shumë se 34 vite ai ka shërbyer në pozicione të larta ushtarake dhe strategjike në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Azi.
Sipas dokumenteve dhe raportimeve amerikane, gjatë karrierës së tij Wendt ka bashkëpunuar edhe me strukturat shqiptare të mbrojtjes, duke mbikëqyrur njësi shqiptare në kuadër të NATO-s dhe operacioneve në Afganistan. Ai ka shërbyer gjithashtu në Ambasadën Amerikane në Jerusalem, ku drejtoi një koalicion me tetë shtete në çështje sigurie mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez.
Paraqitja e tij përpara Senatit shihet si një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të një ambasadori të plotfuqishëm amerikan në Tiranë, pas një periudhe të gjatë me drejtim të përkohshëm diplomatik. Analistë rajonalë e lidhin emërimin e tij me rritjen e interesit strategjik të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, në një kohë tensionesh ndërkombëtare dhe rivalitetesh gjeopolitike në rajon.
Gjatë seancës dëgjimore pritet të diskutohen marrëdhëniet SHBA–Shqipëri, bashkëpunimi ushtarak dhe i sigurisë, roli i Shqipërisë në NATO, si dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Nëse kandidatura e tij miratohet nga senatorët amerikanë, Eric Wendt do të marrë zyrtarisht detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri.
