Nga Fatmir Merkoçi:
Sali Berisha dhe Partia Demokratike hapën zyrtarisht garën për kryetar të partisë, proces që pritet të zhvillohet më 23 maj. Disa individë dorëzuan dokumentacionin pranë PD-së, e cila kishte ngritur një komision zgjedhor për t’u marrë me verifikimin, përgatitjen dhe organizimin e procesit.
Por ndodhi që asnjë nga kandidatët e tjerë nuk u pranua në garë. Në këto kushte, Berisha mbeti i vetmi kandidat që, sipas komisionit, plotësonte kriteret.
Pas shumë reagimeve, jo vetëm nga kandidatët e skualifikuar, por edhe nga anëtarësia, media dhe qytetarët, u ngrit shqetësimi se votimi për kreun e PD-së nuk mund të zhvillohej me vetëm një kandidat. Përballë kritikave, Berisha deklaroi se në “90% të partive simotra” paraqitet vetëm një kandidat për votim. Ky argument shtoi edhe më shumë debatet.
Dje reagimet u intensifikuan. Për ta “mbyllur” debatin, Berisha — dhe jo komisioni apo kryesia — deklaroi se ky proces nuk është një garë, por një proces votëbesimi ndaj kryetarit aktual. Ky përcaktim shmang jo vetëm frymën e statutit, por edhe vetë konceptin e garës dhe debatit demokratik.
Por pyetja mbetet e thjeshtë: nëse nuk do të kishte garë reale, përse u hap procesi i kandidimeve? Pse u ngrit komisioni për verifikimin e dokumentacionit të kandidatëve të tjerë?
Këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjet vetë Berisha, si kryetar aktual, por edhe zyrtarisht Partia Demokratike, përmes një vendimi të posaçëm që legjitimon këtë proces.
Sepse ky nuk është vetëm një precedent për zgjedhjen e kryetarit. Sipas kësaj logjike, edhe Këshilli Kombëtar apo Kryesia mund të mos kalojnë më në proces zgjedhor, por vetëm në votëbesim nga anëtarësia.
Të gjitha këto veprime po tregojnë se në PD nuk pritet as hapja e trumpetuar, as ndryshimi, por vetëm emërimi i strukturave dhe ruajtja e status quo-së politike.
