Nga Redaksia – Një debat i fortë ka plasur në të gjithë Britaninë, Mbreti Charles III konfirmoi gjatë “King’s Speech” se qeveria britanike do të ecë përpara me futjen e sistemit kombëtar të identitetit dixhital, të njohur si “Digital ID”.
Skema e re do të përfshihet në paketën ligjore “Digital Access to Services Bill”, ndërsa qeveria pretendon se përdorimi i saj nuk do të jetë i detyrueshëm. Megjithatë, kritikët paralajmërojnë se ky është vetëm hapi i parë drejt një shoqërie të mbikëqyrur dhe të kontrolluar në mënyrë digjitale.
Sipas njoftimit zyrtar, qytetarët britanikë do të mund të përdorin identitetin dixhital për të aksesuar një sërë shërbimesh shtetërore në një platformë të vetme, përfshirë:
- dokumentet e taksave,
- pasaportat,
- patentat,
- subvencionet sociale,
- kuponët për kujdesin ndaj fëmijëve.
Qeveria e paraqet projektin si një mënyrë për të “modernizuar” administratën publike dhe për të lehtësuar verifikimin online të qytetarëve. Por shumë britanikë e shohin këtë si një zgjerim të kontrollit shtetëror mbi jetën private.
Kryeministri Keir Starmer kishte mbështetur më parë idenë që identitetet dixhitale të bëheshin të detyrueshme, sidomos për kontrollet e punësimit dhe shërbimet publike. Pas reagimeve të forta nga opinioni publik dhe organizatat për liritë civile, plani u zbut dhe tani prezantohet si “vullnetar”.
Megjithatë, kundërshtarët e projektit paralajmërojnë se “vullnetar” sot mund të nënkuptojë “i detyrueshëm nesër”, pasi shumë shërbime bazë mund të lidhen gradualisht vetëm me identitetin dixhital.
Njoftimi u bë gjatë hapjes zyrtare të Parlamentit britanik, ku u prezantuan edhe prioritetet e tjera të qeverisë, përfshirë:
- reformën e policisë,
- emigracionin,
- sistemin shëndetësor NHS,
- sigurinë kombëtare.
Debati mbi “Digital ID” nuk është më vetëm britanik. Në shumë vende perëndimore po shtyhen projekte të ngjashme, të cilat kritikët i lidhin me kontrollin e lëvizjes, financave dhe aksesit në shërbime përmes teknologjisë dixhitale. /The Sun
