Trump drejt rikthimit të luftës me Iranin? Tensionet shpërthejnë pas dështimit të negociatave …

Nga Redaksia – Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton seriozisht rifillimin e luftës kundër Iranit, pasi negociatat për një marrëveshje të re duket se kanë hyrë në rrugë pa krye. Mediat amerikane raportojnë se propozimi i fundit i Teheranit është konsideruar “i papranueshëm” nga administrata amerikane, duke shtyrë Shtëpinë e Bardhë drejt opsionit ushtarak.

Sipas raportimit të CNN, faktorët kryesorë që po e shtyjnë Trumpin drejt përshkallëzimit janë refuzimi iranian për të bërë lëshime, vazhdimi i tensioneve në ngushticën strategjike të Hormuzit dhe përçarjet brenda vetë udhëheqjes iraniane.

Trump deklaroi para gazetarëve se armëpushimi aktual është “në aparate”, ndërsa përsëriti se Irani nuk duhet të lejohet kurrë të zotërojë armë bërthamore.

“Kam një plan,” tha Trump, duke lënë të kuptohet se administrata amerikane po përgatit skenarë të rinj përballjeje me regjimin iranian.

Burime pranë presidentit amerikan thonë se Uashingtoni dhe Teherani po operojnë me logjika krejtësisht të kundërta. Sipas tyre, regjimi iranian beson se mund t’i përballojë më gjatë sanksionet ekonomike sesa një konflikt të ri ushtarak, ndërsa administrata Trump duket se po humbet durimin.

Në të njëjtën kohë, SHBA ka shpallur një paketë të re sanksionesh kundër rrjeteve të eksportit të naftës iraniane drejt Kinës, duke goditur një nga burimet kryesore financiare të Teheranit. Kjo lëvizje shihet si pjesë e strategjisë amerikane për të izoluar ekonomikisht Iranin përpara çdo përshkallëzimi të mundshëm ushtarak.

Situata në Lindjen e Mesme mbetet jashtëzakonisht e tensionuar. Mbyllja e ngushticës së Hormuzit – një prej rrugëve më të rëndësishme për furnizimin global me naftë – po shihet si kërcënim serioz për ekonominë botërore dhe stabilitetin energjetik ndërkombëtar.

Analistët paralajmërojnë se nëse negociatat dështojnë plotësisht, rajoni mund të futet në një konflikt të ri me pasoja të rënda jo vetëm për Lindjen e Mesme, por për gjithë botën.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *