Nga Taulant Muka
Nuk ka më as turp dhe as përpjekje për ta fshehur. Ajo që deri dje përflitej në korridore, sot thuhet hapur: ndërhyrja në strukturat e arsimit publik nuk ka qenë rastësi, por pjesë e një skenari të mirëpërgatitur për të ndryshuar thelbin e sistemit.
Sipas denoncimeve publike, u desh ndërhyrja e ministres Mirela Kumbaro për të larguar drejtues dhe punonjës të Qendra e Shërbimeve Arsimore, duke hapur rrugën për një ligj të ri. Një ligj që synon të transferojë pjesë të rëndësishme të arsimit publik drejt Albanian-American Development Foundation (AADF), duke krijuar një model që ngjan më shumë me koncesion sesa me reformë.
Ata që u larguan nga sistemi nuk ishin thjesht emra në lista punësimi. Ata përfaqësonin një filozofi: mbrojtjen e arsimit publik si një e drejtë themelore dhe si një shtyllë e shtetit. Në anën tjetër, qeveria duket se po promovon një model të ri, ku roli i shtetit dobësohet dhe hapësira i lihet aktorëve privatë, me ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë ndërhyrje si një “investim amerikan”. Por pyetja që lind natyrshëm është: nëse kemi të bëjmë realisht me një investim amerikan, përse Albanian-American Development Foundation kontrakton agjenci britanike për të zbatuar projektet? A mungon vallë ekspertiza amerikane në një sektor kaq të rëndësishëm si arsimi, apo kemi të bëjmë me një narrativë të ndërtuar për konsum publik?
Më shqetësues është precedenti që po krijohet. Nuk ekziston asnjë model i ngjashëm në Evropë ku një organizatë private të ketë rol vendimtar – deri në nivel vetoje – në sistemin arsimor publik. Kjo përbën një devijim serioz nga standardet demokratike dhe nga parimi i përgjegjësisë publike ndaj qytetarëve.
Në thelb, kemi të bëjmë me një përplasje mes dy vizioneve: një arsimi publik të kontrolluar nga shteti dhe një sistemi të fragmentuar, ku vendimmarrja shpërndahet tek aktorë të jashtëm, pa përgjegjësi direkte ndaj publikut shqiptar.
A është kjo reformë apo një eksperiment i rrezikshëm? A po ndërtohet një sistem më efikas, apo po dobësohet qëllimisht shteti për t’i hapur rrugë interesave të tjera?
Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje të qarta. Sepse kur bëhet fjalë për arsimin, nuk kemi të bëjmë thjesht me politika, por me të ardhmen e një kombi.
