Nga Redaksia – Në zemër të Krujës, qytetit që mbajti mbi supe historinë dhe krenarinë e një kombi të tërë, dita e lindjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeu kalon sot pothuajse në heshtje. Aty ku dikur jehonte thirrja për liri dhe qëndresë, sot mbizotëron një indiferencë që flet më shumë se çdo fjalim patriotik.
Figura e Heroit Kombëtar, që për dekada e shekuj ka qenë shtylla e identitetit shqiptar, duket se është reduktuar në një simbol formal. Emri i tij valëvitet në stadiume, në emërtime rrugësh dhe institucionesh, por rrallëherë në ndërgjegjen e përditshme të shoqërisë. Stadiumi Air Albania mban emrin e tij si një shenjë krenarie, por a përkthehet kjo në respekt real për trashëgiminë që ai la pas?
Heroi kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu ka lindur më 6 maj të vitit 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit.
Ai u mor peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri në vitin 1443, vit në të cilin u largua gjatë një beteje, duke u rikthyer në Krujë. Në vitin 1444 ai mblodhi të gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku u vendos unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër perandorisë otomane. Në krye të ushtrisë shqiptare, pas fitores së parë kundër otomanëve në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër Perandorisë osmane, në vitet e luftës në krye të ushtrisë së vet, që kishte si kryeqendër Krujën.
Ditëlindja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

Heroi ynë kombëtar do të njihej për luftën e tij të paepur në një vend kyç mes lindjes dhe perëndimit. Ai do të njihej si besnik i mbretit të Napolit në traktatin e Gaetës, ku mbështeti mbretin Ferdinand të Napolit në luftën civile të viteve 1460–1461. Në vitin 1463 ishte komandant i forcave të kryqëzatës së Papa Piut II, ndërsa vdis më 17 janarin e 1468, në moshën 63-vjeçare.
Gjergj Kastriot Skënderbeu konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë.
Dhe sot në epokën e rrjeteve sociale, Facebook është kthyer në “altarin” modern ku shumë shqiptarë kujtojnë Skënderbeun – me një foto, një citim të përsëritur dhe disa fjalë patriotike. Por ky kujtim virtual, i përkohshëm dhe shpesh sipërfaqësor, nuk mund të zëvendësojë reflektimin e thellë mbi sakrificën dhe vizionin e tij.
A është kjo harresë, apo një deformim i qëllimshëm i kujtesës historike? A kemi arritur në pikën ku heronjtë tanë përdoren vetëm si dekor për nacionalizëm momental, ndërsa në realitet mungon fryma e unitetit dhe rezistencës që ata përfaqësonin?
Në Kalaja e Krujës, aty ku Skënderbeu udhëhoqi një nga qëndresat më të mëdha në historinë europiane kundër Perandorisë Osmane, sot turistët janë më të shumtë se shqiptarët që ndalen për të reflektuar. Historia është kthyer në atraksion, ndërsa vetëdija kombëtare në formalitet.
Problemi nuk qëndron te mungesa e festimeve madhështore, por te mungesa e përmbajtjes. Një komb që e kujton heroin vetëm në data simbolike, rrezikon ta humbasë thelbin e asaj që ai përfaqësonte: dinjitetin, sakrificën dhe mbrojtjen e identitetit.
Nëse Gjergj Kastrioti Skënderbeu do të ishte sot mes nesh, ndoshta nuk do të kërkonte lavdi apo ceremoni. Por me siguri do të kërkonte një popull që e kupton lirinë jo si dhuratë, por si përgjegjësi.
Dhe kjo është pyetja që mbetet: a jemi ende të denjë për heroin tonë, apo e kemi kthyer atë në një simbol bosh, të përdorur vetëm kur na leverdis?
