Nga Mirela Jorgo:
Fëmijët tanë sot luajnë në rrugë. Jo sepse duan, por sepse nuk kanë zgjidhje tjetër. Hapësirat e gjelbra janë zhdukur, lulishte që dikur ishin zemra e çdo lagjeje janë kthyer në beton, parkingje apo ndërtime pa shpirt. Dhe bashkë me to është zhdukur edhe siguria, edhe fëmijëria e shëndetshme që ne dikur e jetuam.
Sa fëmijë duhet të goditen nga makinat? Sa duhet të lëndohen apo të humbasin jetën nga shoferë të papërgjegjshëm, shpesh të dehur apo të droguar, që bëjnë gara me makina luksi në mes të lagjeve tona? Ky është realiteti i sotëm që nuk mund të fshihet më.
Dikur, çdo bllok pallatesh kishte lulishte. Kishte jetë. Kishte kujdes. I plotfuqishmi i lagjes monitoronte gjithçka. Gjyshet tona mblidheshin aty, bisedonin dhe na shikonin ndërsa luanim të sigurt. Ishte një komunitet që funksiononte. Ishte një rend që sot shumëkush e përqesh, por që kishte një të vërtetë të madhe: fëmijët ishin të mbrojtur.
Po, unë e dua atë fëmijëri. E dua atë rend. Dhe kushdo le të më kritikojë sa të dojë.
Sepse ajo që kemi sot është rrumpallë. Është kaos. Është beton pa fund dhe pa mendim për jetën njerëzore.
Para dy javësh, në zonën e Komuna e Parisit, përjetova diçka që mund të kishte përfunduar tragjikisht. Teksa po kaloja në vijat e bardha, një makinë luksoze, me shpejtësi të madhe, frenoi në momentin e fundit dhe më preku në kyçin e këmbës. Shoferi? Një djalë rreth 20 vjeç, që qeshte, sikur asgjë nuk kishte ndodhur.
Britma ime nuk tronditi askënd. Njerëzit në lokalin pranë nuk lëvizën. Askush nuk reagoi. Ishte një indiferencë që dhemb po aq sa rreziku vetë.
I shkova përpara, e kapa nga bluza dhe i thashë në sy: “Je i droguar?”. Nuk mora përgjigje. Nuk kishte as polici. Asnjë autoritet. Asnjë shtet.
Vetëm fati, ose Zoti, më shpëtoi. M’u deshën ditë të tëra të marr veten nga tronditja.
Por unë jam e rritur. Po fëmijët?
Po ata që dalin nga shkolla? Po ata që detyrohen të luajnë në trotuare, sepse nuk kanë asnjë park, asnjë lulishtë?
Durrës është kthyer në beton të gjallë. Ashtu si Tirana, ashtu si Saranda dhe shumë qytete të tjera. Ndërtim pa kriter, pa plan, pa menduar për jetën e brezave që vijnë.
Kjo nuk është thjesht çështje urbanistike. Është çështje jete.
Është koha të ngremë zërin. Është koha të kërkojmë hapësira për fëmijët tanë. Është koha të rikthejmë sigurinë në lagjet tona.
Sepse një shoqëri që nuk mbron fëmijët e saj, ka humbur gjithçka.
