Nga Ilir Dedaj:
Prej vitit 1990 e deri më sot, shoqëria shqiptare ka rënë në një gjumë të rrezikshëm indiference – një gjumë që po i kushton vetë atdheun. Ndërsa ne përsërisim “ç’më duhet mua”, një kastë e konsoliduar pushteti prej më shumë se tre dekadash vazhdon të grabisë pasuritë kombëtare, të shesë tokat, të tjetërsojë pronat dhe të detyrojë brezat e rinj të braktisin vendin e tyre.
Kjo nuk është më thjesht krizë. Ky është një mallkim që duhet thyer.
Nëse dikush mendon se i ka “punët në terezi” dhe se nuk e prek ajo që ndodh me vendin, gabon rëndë. Askush nuk është i sigurt në një anije që po fundoset. Kur vidhen burimet natyrore, kur degradohet arsimi, kur tjetërsohet bregdeti – askush nuk shpëton i vetëm. Indiferenca e sotme është ftesa për padrejtësinë e nesërme.
Sepse kur padrejtësia të trokasë në derën tënde, nuk do të ketë më askënd për të reaguar. Të gjithë do të jenë mësuar të thonë të njëjtën fjali: “Ç’më duhet mua!”
Ne nuk mund të quhemi një komb i zgjuar nëse vazhdojmë të tolerojmë të njëjtët njerëz dhe të njëjtin sistem për më shumë se 30 vite. Mençuria nuk është heshtje. Mençuria nuk është arratisje. Mençuria është reagim.
Sot ajo që shitet si “qetësi” është në fakt frikë. Ajo që duket si “durim” është në fakt dorëzim.
Thirrje për Atdheun dhe Diasporën
Mjaft më me spektatorë!
Diaspora shqiptare nuk mund të mbetet vetëm një burim financiar për një sistem që i ka detyruar të largohen. Ndihma më e madhe nuk është vetëm ekonomike – është ndërgjegjësimi dhe angazhimi.
Edhe brenda vendit, nuk mund të vazhdohet me heshtjen e atyre që “presin radhën”. Historia nuk pret askënd.
Ka shenja se po lindin alternativa të reja, forca që refuzojnë këtë realitet të kalbur 36-vjeçar. Por asnjë ndryshim nuk mund të ndodhë nëse qytetari vazhdon të qëndrojë i fshehur pas indiferencës.
Ndryshimi fillon nga vetja
Është koha për të ndryshuar mendësinë.
Nga: “Ç’më duhet mua”
Në: “MË DUHET MUA!”
- Më duhet mua se kush ma vjedh votën
- Më duhet mua se kush ma rrit çmimin e jetesës
- Më duhet mua se kush po zbraz qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë
Zgjohu, o shqiptar!
Nëse sot nuk mbrojmë të drejtat tona, nesër rrezikojmë të mbetemi pa atdhe. Një komb që nuk reagon, është një komb që shuhet ngadalë.
Koha e tyre mund të zgjasë vetëm aq sa zgjat heshtja jonë.
Koha jonë fillon në momentin që ne vendosim të hapim sytë.
SHPËRNDAJE nëse refuzon të jesh më indiferent.
