Nga Redaksia:
Një skandal i ri politik në Shtetet e Bashkuara po trondit institucionet federale dhe mund të kthehet në një nga aferat më të mëdha të manipulimit institucional në historinë moderne amerikane. Ajo që fillimisht u paraqit si një çështje e dyshimeve për korrupsion të familjes së ish-presidentit Joe Biden, tashmë po transformohet në një skandal shumë më të thellë: një operacion i dyshuar brenda FBI-së për të sabotuar hetimet.
Operacioni sekret i quajtur “Round River” dyshohet se u krijua për të neutralizuar çdo informacion që lidhej me akuzat për korrupsion ndaj familjes Biden dhe për të penguar hetimet federale që po zhvilloheshin në atë kohë.
Në vitin 2020, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, William Barr, ngarkoi prokurorin federal Scott Brady që të verifikonte informacionet dhe provat e mundshme që lidheshin me korrupsionin në Ukrainë dhe me aktivitetet e familjes Biden.
Hetimi përfshinte materiale të siguruara nga ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudy Giuliani, si dhe informacione të tjera të paraqitura nga burime publike dhe informatorë.
Brady dhe ekipi i tij përdorën databazat e FBI-së për të kërkuar materiale që lidhen me fjalë kyçe si “Burisma” dhe “Biden”, duke iu referuar kompanisë ukrainase të energjisë Burisma Holdings, në bordin e së cilës kishte shërbyer Hunter Biden.
Por ajo që Brady nuk e dinte ishte fakti se në të njëjtën kohë brenda FBI-së po zhvillohej një operacion paralel që mund të bllokonte çdo informacion negativ mbi familjen Biden.
Sipas dokumenteve të zbuluara së fundmi, operacioni Round River ishte klasifikuar si “Prohibited Access” brenda sistemit të menaxhimit të çështjeve të FBI-së, i njohur si Sentinel.
Kjo do të thoshte se dosjet dhe informacionet e lidhura me këtë operacion nuk mund të shiheshin nga agjentët e tjerë që kërkonin në databazë – edhe nëse ata kërkonin drejtpërdrejt për temat që lidhen me hetimin.
Me fjalë të tjera, hetuesit federalë mund të kërkonin për “Biden” apo “Burisma”, por dokumentet më sensitive që lidhen me këto tema mund të mbeteshin plotësisht të padukshme.
Ky mekanizëm ka ngritur dyshime të forta se një pjesë e strukturave të FBI-së mund të ketë vepruar për të bllokuar hetimin.
Sipas deklarimeve të sinjalizuesve të brendshëm dhe informacioneve të publikuara nga senatori republikan Chuck Grassley, në gusht të vitit 2020 analisti i inteligjencës në FBI, Brian Auten, hapi një vlerësim që u përdor nga një ekip në selinë qendrore të FBI-së për të diskredituar informacionet negative mbi Hunter Biden.
Sipas pretendimeve, informacionet nga burime konfidenciale u etiketuan si “dezinformim rus”, duke bërë që shumë pista hetimore të ndaleshin menjëherë.
Raportet tregojnë gjithashtu se task-forca për ndikimin e huaj brenda FBI-së përdori këtë mekanizëm për të kërkuar informacione nga zyrat e FBI-së në të gjithë vendin dhe për t’i klasifikuar ato si propagandë e huaj.
Një nga aspektet më tronditëse të këtij skandali është pretendimi se FBI kishte mbi 40 burime konfidenciale njerëzore që kishin dhënë informacione për aktivitete të dyshuara kriminale që lidhen me:
- Joe Biden
- James Biden
- Hunter Biden
Në vend që këto informacione të hetoheshin plotësisht, dyshohet se një pjesë e tyre u mbyll në dosje të fshehta ose u diskreditua si propagandë e huaj.
Pas vitesh debatesh dhe kërkesash për transparencë, presioni politik në SHBA po rritet. Zyrtarë të rinj në krye të institucioneve federale po dorëzojnë dokumente të deklasifikuara që mund të hedhin dritë mbi këtë operacion.
Nëse konfirmohet se FBI përdori mekanizma të fshehtë për të bllokuar hetime dhe për të targetuar kritikët politikë, atëherë skandali nuk do të jetë më vetëm për familjen Biden.
Ai do të shndërrohet në një çështje shumë më të madhe: abuzimi i aparatit të sigurisë së shtetit për qëllime politike.
Në këtë pikë, pyetja që shtrohet në Washington nuk është më vetëm nëse familja Biden ishte e përfshirë në korrupsion – por nëse një pjesë e institucioneve federale u përdor për të mbrojtur pushtetin politik.
