Nga Andrea Bregu:
Shkëlqimi dhe rënia e asaj që sot quhet “Organizata Balluku” në qeveri dhe në Partinë Socialiste nuk është më një shprehje politike, por një realitet që, sipas zhvillimeve të fundit, po materializohet hap pas hapi nga SPAK.
Pas përplasjes së fortë brenda Partisë Socialiste gjatë viteve 2023–2024 dhe goditjes së klanit të Erion Veliajt, në skenë u forcua ndjeshëm grupimi i Belinda Ballukut. Postet drejtuese, ndikimi në vendimmarrje dhe kontrolli mbi sektorë strategjikë të qeverisë kaluan gradualisht nën orbitën e saj politike.
Sot, brenda PS-së nuk flitet më për “klanin e Veliajt”, por për pushtetin dhe ndikimin që ka ndërtuar struktura e afërt me Belinda Ballukun, si në qeveri ashtu edhe në parti.
Hetimet dhe emrat nën lupën e SPAK
Megjithatë, rënia e këtij grupimi nuk është një zhvillim i katër muajve të fundit. Prej më shumë se një viti, disa prej figurave të lidhura me këtë strukturë janë nën hetim apo procedim penal.
Ndër emrat më të përfolur është Joniad Myzyri, i lidhur me Agjencinë e Prokurimit Publik (APP), ku dyshimet për afera me tendera kanë sjellë hetime serioze. Po ashtu, edhe Pirro Vëngu, ish-drejtor i Portit të Durrësit dhe aktualisht ministër i Mbrojtjes, rezulton nën verifikim për vendimmarrje të periudhës kur drejtonte një institucion që varej nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në listën e figurave të përmendura në kontekstin e hetimeve janë edhe Ervin Hoxha, i përfolur për lidhje me çështjen e njohur si “5B”, si dhe Petrit Malaj, emri i të cilit është përmendur në hetimet mbi skandalin e start-up-eve.
Më poshtë mund të lexoni:
Një tjetër figurë është Igli Tafa, i cili pasoi Mirlinda Karçanajn në krye të AKSHI-t. Sipas burimeve mediatike, ai ka qenë në vëmendjen e SPAK që prej kohës kur drejtonte Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK).
Nga konsolidimi i pushtetit tek përballja me drejtësinë
Këta janë vetëm disa prej emrave që përmenden publikisht. Nëse hetimet do të thellohen apo do të prodhojnë përgjegjësi penale konkrete, kjo mbetet për t’u parë.
Ajo që është e dukshme është se struktura që dikur konsiderohej si një nga më të fuqishmet brenda mazhorancës, sot ndodhet përballë një presioni të fortë nga organet e drejtësisë. Nga një organizim i konsoliduar pushteti, narrativa publike po zhvendoset drejt një realiteti hetimesh, dyshimesh dhe përgjegjësish të mundshme.
Në politikën shqiptare, ekuilibrat ndryshojnë shpejt. Pyetja që mbetet është: a jemi përballë një riorganizimi të brendshëm të pushtetit, apo një goditjeje të strukturuar nga drejtësia ndaj një prej grupimeve më të forta në qeverisje?

