Nga Redi Minga:
Deri dje, Edi Rama dhe Rilindja e tij politike nuk linin podium pa përmendur “rrugët e Saliut”. Ishte refreni i përhershëm i fushatës së vitit 2013: rrugë të pambaruara, tendera të fryrë, borxhe publike dhe “beton pa standard”. Me këtë narrativë u kërkua pushteti dhe me këtë propagandë u mbajt gjallë fryma e ndryshimit.
Por sot, pas më shumë se një dekade në qeverisje, pyetja që shtrohet natyrshëm është: çfarë ndryshoi realisht?
Nëse dikur akuzonin se rrugët ishin lënë “rrugëve”, sot duket se kemi hyrë në një fazë tjetër: malet po shkojnë rrugëve. Projekte gjigante, tunele kilometrike, segmente me kosto marramendëse dhe buxhete që rriten nga dita në ditë. Çdo inaugurim shoqërohet me regji mediatike, drone, flamuj dhe deklarata triumfale, por shumë pak transparencë mbi faturën reale që paguajnë qytetarët.
Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës, Belinda Balluku, është bërë fytyra publike e këtij “revolucioni rrugor”. Tunele që shpallen si vepra historike, kontrata që ndryshojnë gjatë rrugës, afate që shtyhen dhe kosto që shumëfishohen. Në vend të një debati teknik e financiar, publiku merr spektakël politik.
Ironia është se kritikat e dikurshme ndaj qeverisë Berisha sot mund të rikthehen si bumerang. Atëherë flitej për mungesë planifikimi dhe kosto të fryra. Sot kemi projekte që nisin me një vlerë dhe përfundojnë me një tjetër, shumë më të lartë. Atëherë akuzohej për propagandë me asfalt. Sot propaganda ka marrë dimension 3D – me tunele, me urëza panoramike dhe me postime të kuruara në rrjetet sociale.
Por infrastruktura nuk është dekor elektoral. Rruga nuk është thjesht një segment betoni për t’u prerë shiritin para zgjedhjeve. Ajo është investim publik që duhet të justifikohet me analizë kosto–përfitim, me standarde, me auditim të pavarur dhe me llogaridhënie të plotë.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për gara se kush ndërton më shumë kilometra për fushatë. Kanë nevojë për rrugë që lidhin ekonominë me tregun, fermerin me qytetin, turizmin me zhvillimin real. Kanë nevojë për transparencë mbi çdo euro të shpenzuar dhe jo për etiketime politike të së shkuarës për të justifikuar faturat e së tashmes.
Në fund të ditës, historia nuk matet me konferenca shtypi, por me bilanc. Nëse dje u kërkua pushteti me premtimin për t’i dhënë fund “rrugëve të Saliut”, sot duhet përgjigjur qartë: a po ndërtohen rrugë për Shqipërinë, apo po ndërtohet një skenografi infrastrukturore për pushtetin?
Koha e propagandës ka kaluar. Tani është koha e llogarisë.
