Një urë që duhej ti bashkonte, po shkakton përplasje mes dy vendeve
Nga Redaksia:
Presidenti amerikan, Donald J. Trump, ka kërcënuar të bllokojë hapjen e urës shumë të diskutueshme që lidh SHBA-në me Kanadanë, duke bërë tensionet bilaterale edhe më të thella.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, kishte deklaruar dje se pret me padurim inaugurimin e projektit miliardësh. Por Trump nuk e ka pritur aspak mirë situatën:
“Nuk do të lejoj që kjo urë të hapet derisa Shtetet e Bashkuara të kompensohen plotësisht për gjithçka që u kemi dhënë, dhe gjithashtu, Kanadaja të na trajtojë me drejtësi dhe respektin që meritojmë”, shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale.
Ai duket se i referohet Gordie Howe International Bridge, një urë gjashtë korsi që lidh Windsor, Ontario me Detroit, Michigan, e cila ka qenë në ndërtim që nga viti 2018 dhe pritet të hapet këtë vit.
Trump shtoi gjithashtu:
“Të gjitha të mirat që i kemi dhënë Kanadasë, ndoshta ne duhet të zotërojmë të paktën gjysmën e këtij objekti. Të ardhurat nga tregu amerikan do të jenë astronomike.”
Nga ana e tij, Kryeministri Carney theksoi se Kanadaja ka paguar mbi 4 miliardë dollarë për ndërtimin e urës dhe se pronësia ndahet mes shtetit të Michigan-it dhe qeverisë kanadeze.
Situata ka ngjallur reagime të ashpra në opinionin publik, me shumë komentues që e kritikojnë Trump për kërcënimin ndaj partnerit kryesor tregtar të SHBA-së.
Ura Gordie Howe është projekt i madh infrastrukturor, por tashmë duket se po kthehet në simbol të konfliktit politik mes dy kombeve fqinje.