Nga Redaksia:
Gjermania po shtyn për të krijuar një Bashkim Europian “me dy shpejtësi”, duke bashkuar gjashtë nga ekonomitë më të mëdha të kontinentit për të avancuar më shpejt në çështje kyçe ekonomike, mbrojtjeje dhe sigurie.
Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, njoftoi ftesën për homologët e tij nga Franca, Italia, Spanja, Polonia dhe Holanda për një videokonferencë, e cila do të shërbejë si takimi i parë për të hartuar një agjendë të fortë bashkëpunimi.

Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil
“Evropa po përballet me sfida të papara në ekonomi dhe gjeopolitikë. Të mos veprosh nuk është më opsion,” tha Klingbeil, duke paralajmëruar se mbajtja e status quo-së rrezikon rritjen dhe stabilitetin e bllokut europian.
Katër Prioritetet Kryesore
- Investime dhe kapital për kompanitë europiane, veçanërisht startup-et.
- Forcimi i euros si monedhë globale dhe ulja e burokracisë.
- Bashkëpunim i ngushtë në mbrojtje, duke përfshirë integrimin e shpenzimeve ushtarake.
- Siguria e furnizimit me lëndë kritike, duke reduktuar varësinë nga Kina dhe rreziqet e tregtisë globale.
Takimi i parë është një “kick-off”, ndërsa një takim i dytë do të zhvillohet pranë Eurogrupit, për të vendosur bazat e një bërthame vendesh që do të udhëheqin reformat e BE-së, edhe nëse pjesa tjetër e unionit nuk është gati.
Analistët paralajmërojnë se kjo mund të shënojë fillimin e një Europe me shtigje të ndara, duke rritur pavarësinë e disa vendeve, por duke lënë të tjerat pas.
