OPINION: Kur pushteti shpallet zëri i Zotit dhe të vret në emër të Tij…

Nga Redaksia:

Avokati Altin Goxhaj ka reaguar ndaj lajmit tronditës nga Irani, ku regjimi përgatitet të ekzekutojë me varje 26-vjeçarin Erfan Soltani, një demonstrues i arrestuar të shtunën. Sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Teheranit, Mohammad Movahedi Azad, ai dhe kushdo që merr pjesë në protesta do të trajtohet si “armik i Zotit” – një akuzë që sipas ligjit iranian dënohet me ekzekutim.

Pra, këta qeveritarë janë zëri i Zotit? Ata e dinë se kush është dhe kush nuk është armiku i Tij? Një barrë e rëndë kjo për këdo që e quan veten besimtar.

Në fakt, për blasfemi morale duhet të përgjigjen pikërisht ata që i japin vetes të drejtën të flasin në emër të Zotit, të mendojnë për Zotin dhe të vrasin në emër të Tij. Historia ka treguar se çdo regjim plaket, dhe regjimi iranian sot është një gerontokraci – regjim pleqsh që nuk arrijnë të kuptojnë se duke refuzuar realitetin e shoqërisë, po përgatisin vetë rrugën e tyre drejt rrëzimit.

Tifozët antisionistë të regjimit iranian nuk duan ta pranojnë një të vërtetë elementare: Çdo qeveri ka detyrë parësore të qeverisë drejt popullin e vet, jo të luajë rolin e aktorit global. Sado i drejtë të konsiderohet nga disa qëndrimi i Iranit ndaj Izraelit, 100 milionë banorët e Persisë meritojnë një qeverisje të drejtë, humane dhe jo represive.

Imponimi i Sheriatit mbi një popull nuk është besim – është kundërshtim i vetë besimit. Çdo qeverisje fetare, pa përjashtim, degradon në të njëjtën gënjeshtër: se është “vullneti i Zotit në tokë”, ndërsa krimet i kryen në emër të Tij.

P.S. Një kujtesë për ata që mbyllin sytë ndaj vuajtjes së popullit persian: Çfarë ndryshimi kishte regjimi i Enver Hoxhës nga ai i Iranit në raport me sionizmin, Rothschildët, imperializmin amerikan, trajnimin e revolucionarëve iranianë e palestinezë?

Asnjë thelbësor. Ishin njësoj, pavarësisht fuqisë dhe rolit ndërkombëtar.

Dhe megjithatë, kishte plot komunistë italianë që qanin për rënien e regjimit të Enverit, ndërkohë që ne jetonim në një burg të madh, ashtu si sot jetojnë popuj të tjerë nën regjime që hiqen si “çlirimtare”.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *