Nga Redaksia:
Pse Bashkimi Europian po vepron në këtë mënyrë ndaj Shqipërisë?
Si ka mundësi që një vend që prodhon mbi 95% të energjisë nga burime të pastra, kryesisht ujë dhe diell, të trajtohet njësoj si vendet ndotëse?
A është kjo një padrejtësi teknike e Brukselit, apo pasojë direkte e paaftësisë dhe neglizhencës së qeverisë shqiptare për të mbrojtur interesin kombëtar?
Këto pyetje nuk janë më teorike. Ato sot përkthehen në rrezik real për financat publike, për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe për jetën e mijëra qytetarëve në veri të vendit, të cilët po përballen sërish me frikën e përmbytjeve.
Dy ditë më parë, KESH tentoi të shesë një sasi të konsiderueshme energjie elektrike për t’i paraprirë prurjeve të mëdha nga reshjet dhe për të shmangur shkarkimet e ujit nga hidrocentralet. Tentativa dështoi plotësisht, pasi asnjë kompani nuk pranoi të blejë energji shqiptare.
Pas këtij dështimi të parë, energjia iu ofrua tregut me një çmim thuajse simbolik prej 15 euro për megavat-orë, praktikisht falas. Edhe kjo përpjekje dështoi. Asnjë kompani nuk pranoi të blinte asnjë kilovat energji.
Arsyeja lidhet drejtpërdrejt me një taksë të re të Bashkimit Europian mbi karbonin, e kombinuar me mosveprimin e qeverisë shqiptare për të siguruar përjashtimet dhe koefiçentët që Shqipëria i meriton.

Që nga dita e parë e këtij viti, çdo produkt i importuar në Bashkimin Europian, i cili prodhohet duke emetuar karbon, duhet të paguajë një taksë kompensimi për ndotjen. Në grupin e mallrave përfshihet edhe energjia elektrike, përmes të ashtuquajturit “Mekanizmi i Rregullimit Kufitar të Karbonit”.
Niveli bazë i kësaj takse është rreth 90 euro për megavat-orë energji të importuar në BE, pra më i lartë edhe se vetë çmimi i energjisë në treg.
Mekanizmi parashikon që vendet eksportuese mund ta zbusin ndjeshëm këtë taksë nëse blejnë certifikata jeshile ose nëse dëshmojnë se energjia e prodhuar vjen nga burime të pastra. Në rastin e Shqipërisë, e cila thuajse të gjithë energjinë e saj e prodhon nga uji dhe dielli, taksa duhej të ishte minimale, pothuajse zero.
Por qeveria shqiptare, ashtu si edhe qeveritë e tjera të rajonit, nuk ushtroi presion të mjaftueshëm ndaj Bashkimit Europian për përcaktimin e koefiçentëve përkatës të karbonit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë situatë, Shqipëria rezulton humbësja më e madhe, pasi energjia e saj duhej të kishte avantazh absolut ndaj vendeve të tjera. Ky avantazh, që mund të ishte një bekim strategjik, është shndërruar në një mallkim nga neglizhenca qeveritare.
Sot, KESH e ka praktikisht të pamundur të shesë energji në eksport. Çdo kompani që do të blinte energji nga Shqipëria dhe do ta rishiste në një vend të BE-së, do të duhej të paguante rreth 90 euro për megavat-orë taksë karboni, më shumë se vetë vlera e energjisë. Paralelisht, energjia nuk shitet dot as në vendet e rajonit, të cilat po përballen gjithashtu me teprica energjie pa treg.
Pamundësia për të shitur energjinë po dëmton rëndë financat e KESH dhe ka filluar të ketë pasoja të drejtpërdrejta për familjet e ultësirës veriperëndimore të vendit. Në mungesë të alternativave, qeveria njoftoi hapjen e portave për shkarkimin e ujit nga hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës.
Edhe pse Fierza vazhdon të qëndrojë e mbyllur për shkak se ka ende hapësirë ujëmbledhëse, prurjet e fuqishme dhe parashikimet për vazhdimësinë e tyre mund të ezaurojnë shpejt edhe këtë rezervë, duke imponuar shkarkime nga baseni më i madh i vendit. Një skenar i tillë do të rikthente përmbytjet masive të vitit 2010, të njohura si fenomeni “Prifti”, që përmbytën plotësisht zonën e Nënshkodrës.
Tre javë më parë, Bashkimi Europian kritikoi zyrtarisht Shqipërinë për mospërmbushjen e reformave energjetike përmes Sekretariatit të Energjisë, duke e skualifikuar vendin nga Këshilli Ministerial. Në deklaratë thuhej se Shqipëria ka dështuar të harmonizojë në kohë legjislacionin e saj me rregullat europiane të tregut të energjisë elektrike.
Kritikat përfshinin mos-përditësimin e ligjit për tregun e energjisë, mos-hapjen graduale të tregut sipas rregullave të BE-së, mungesën e rregullave të qarta për prodhuesit dhe operatorët, si dhe mungesën e konkurrencës, transparencës dhe akteve nënligjore funksionale.
Sot energjia shqiptare, që duhej të ishte një aset strategjik kombëtar, është shndërruar në barrë. Bashkimi Europian vepron përmes mekanizmave burokratikë, ndërsa qeveria shqiptare ka dështuar të mbrojë në kohë interesin kombëtar. Faturën për këtë situatë nuk e paguan as Brukseli dhe as qeveritarët, por qytetarët shqiptarë dhe zonat më të rrezikuara nga përmbytjet.
