Nga Milaim Nela:
Ndikimi politik i George Soros në Shqipëri nuk është më një tezë debati, por një realitet i konsoliduar prej vitesh. Rrjetet e ndërtuara prej tij, të shtrira në politikë, media, shoqëri civile dhe institucione, janë vënë sot në një ofensivë të hapur për të ruajtur kontrollin mbi pushtetin aktual dhe për të siguruar vazhdimësinë e tij në të ardhmen.
Partia Socialiste është tashmë nën kontroll të plotë, ndërsa paralelisht është ndërtuar një grupim i strukturuar brenda dhe rreth Partisë Demokratike, që synon neutralizimin e opozitës reale dhe konservatore. Për këtë qëllim, janë hedhur në qarkullim figura të reja, të shitura si “ripërtëritje”, por që në thelb përfaqësojnë të njëjtën axhendë.
Adriatik Lapaj – “i riu i sakrificës” sipas skenarit të vjetër
Prej javësh, Adriatik Lapaj promovohet në mënyrë agresive, deri në shkallët e Kryeministrisë, si një figurë “kundër elitës së vjetër”. Ky konstrukt propagandistik ka arritur të mashtrojë edhe një pjesë të elektoratit të djathtë, duke e paraqitur Lapajn si faktor politik alternativ.
Nxjerrja në skenë e Florjan Binajt dhe promovimi i tij si “kandidat opozitar”, ndërkohë që ai është qartësisht pjesë e rrethit të Lapajt dhe e të njëjtit rrjet ideologjik, përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj opozitës reale. Edhe së fundmi, Lapaj vijon të kërkojë largimin e Sali Berishës, duke shmangur sistematikisht çdo përballje me Edi Ramën – njeriun që mban pushtetin real.
Kjo qasje është identike me atë të mentores së tij politike, Yuri Kim: problemi quhet Berisha, jo Rama. Nuk është rastësi që Lapaj ka punuar për Fondacionin Soros dhe njihet gjerësisht si figurë e mbështetur nga ambasadat.
Endri Shabani – institucionalizimi i një figure soroiste
Endri Shabani u vendos në postin e Avokatit të Popullit dhe prej andej po mbahet me çdo kusht në elitën politike shqiptare. I njohur si soroist i deklaruar, Shabani ka pasur lidhje të drejtpërdrejta me Fondacionin Soros, ndërsa lëvizja e tij “THURJA” ka gëzuar mbështetje të fortë nga ambasadat, mediat e financuara nga Soros dhe vetë regjimi aktual.
Lea Ypi – karta ideologjike e radhës
Lea Ypi, një neomarksiste e deklaruar dhe nostalgjike e enverizmit, profesoreshë në London School of Economics – një nga qendrat kryesore të majtizmit dhe globalizmit në Europë – po promovohet intensivisht nga media në Shqipëri. Madje, në mënyrë absurde, po hidhet ideja e saj si “kryeministre teknike”.
Në realitet, Ypi është një investim politik i qartë i rilindjes së Edi Ramës. Ajo po shitet si figurë “mbipartiake”, duke u mbështetur në lidhjen familjare me Xhafer Ypin, ndërkohë që fshihet mbështetja e fuqishme që ajo ka marrë nga krahu më radikal i majtë i Partisë Laburiste në Britaninë e Madhe. Mediat e majta britanike e kanë promovuar figurën e saj përtej kapaciteteve reale intelektuale.
Ypi ka qenë mbështetëse e hapur e Jeremy Corbyn, një figurë ekstremisht e majtë, pro-ruse dhe një nga kundërshtarët më të ashpër të ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës – fakt që flet qartë për orientimin e saj ideologjik.
Heshtja e PD-së dhe goditja ndaj së djathtës reale
Kompleksiteti i Partisë Demokratike përballë figurës së Lea Ypit u reflektua qartë edhe në reagimin e vakët dhe neutral të Sali Berishës, kur u pyet publikisht për të. Një heshtje që thotë shumë për presionet dhe infiltrimin ideologjik që po përjeton opozita.
Sot, e djathta e vërtetë konservatore shqiptare është në masë të madhe pa përfaqësim politik. Ajo është nën goditje të vazhdueshme pikërisht në një moment historik kur duhet të ishte më e fortë se kurrë dhe të dominonte skenën politike.

Ilustrimi imazherik: kortezi e Albanian Diaspora Sweden
