Propaganda e plehrave në Durrës – Rama fajëson popullin për të mbrojtur kupolën e kalbur të Bashkisë …

Nga Redaksia:

Ndërsa qyteti i Durrësit mbytet, termometri i përgjegjësisë politike është kthyer në cinizëm propagandistik. Edi Rama zgjedh të mos kërkojë fajtorët në institucionet që ai drejton, por i hedh fajin popullit për përmbytjet që shkatërrojnë familje dhe biznese. Nga foltorja e Kryeministrisë deri te statuset e redaktuara nga zyrtarë të Bashkisë, Rama përpiqet të mbrojë një kupolë të kalbur politike dhe klienteliste, e cila në Durrës ka emra konkretë dhe dëshmi të qarta të dështimit – duke filluar nga mbyllja e kanaleve kulluese dhe përfunduar te projeketet propagandistike pa efikasitet.

Ndërsa uji përmbyt rrugët dhe shtëpitë, përgjegjësia zhvendoset tek qytetari i zakonshëm, si një alibi për të fshehur korrupsionin, paaftësinë dhe mungesën e transparencës së qeverisjes së Ramës dhe mbështetësve të tij në Durrës.

Rama ka 14 vite që qeveris Shqipërinë dhe gjatë kësaj kohe u ka grabitur shqiptarëve qindra miliona euro, pikërisht për atë që sot e përdor si propagandë në rrjetet sociale: djegien e mbetjeve me inceneratorë fantazmë, që ose nuk ekzistojnë, ose nuk funksionojnë.

Fotoja e fundit e publikuar prej tij nuk ka lidhje me shqetësimin për mjedisin, por është alibi politike për të mbuluar një nga aferat më të mëdha financiare të historisë së shtetit shqiptar.

Përgjegjësi numër 1 nuk është populli, por Kryeministri

Rama sillet si komentues Facebook-u, por në realitet është përgjegjësi kryesor për menaxhimin e mbetjeve, kanaleve kulluese, hidrovoreve dhe mbrojtjen nga përmbytjet.

Po, qytetarët ndosin.
Po, ka individë që hedhin mbeturina në kanale.

Por është shteti që ka detyrimin ligjor ta ndalojë këtë, të kontrollojë territorin, të ndëshkojë shkelësit dhe të ndërtojë infrastrukturë funksionale. Kur kjo nuk ndodh, faji nuk është kolektiv, por institucional dhe politik.

Durrësi – 20 milionë euro të vjedhura, mijëra familje të përmbytura

Në Durrës, qeveria Rama ka zhdukur mbi 20 milionë euro për një hidrovor–incenerator, i cili sot rezulton i paefektshëm ose jashtë funksioni, ndërkohë që qyteti mbytet sa herë bie shi.

Mijëra familje janë sot të shkatërruara, biznese të fundosura, ndërsa përgjegjësit heshtin ose bëjnë propagandë.

Shkatërruesi nuk quhet shi.
Nuk quhet ndotje.
Ka vetëm një emër: Edi Rama.

Ushtarja e Ramës në Durrës dhe propaganda e betonit “të gjelbër”

Sipas Ramës, fajtore nuk është as kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, ushtarja e bindur e tij politike.

Pasi mbylli kanalet e ujërave, Bashkia e Durrësit ndërtoi mbi to dhe më pas bëri propagandë, duke “dhuruar” gjoja ambiente publike me pemë dhe ndriçim, disa metra beton të lyer me gjelbërim artificial, që u shitën si sukses urban.

Sot, këto zona janë shndërruar në epiqendra të tmerrit.
Janë plotësisht të përmbytura, të pakalueshme, me ujë dhe baltë, ndërsa durrësakët janë të lemeritur, nuk dinë ku të shkojnë, ku të strehohen dhe si të mbrojnë familjet e tyre.

Propaganda u mbyt bashkë me qytetin.

Cinik, jo i paditur

Ironia më e madhe është se Rama bën sikur “nuk kupton”, duke deklaruar:

“Kur hedhim plehrat dhe shishet plastike nëpër fusha e në anët e rrugëve… vjen një ditë shiu dhe i dynd në det…”

Por Rama me qëllim fsheh të vërtetën:

  • kanalet janë të bllokuara sepse janë mbyllur ose nuk pastrohen,
  • hidrovoret nuk punojnë sepse fondet janë vjedhur,
  • janë lejuar ndërtime mbi kënete, argjinatura dhe zona përmbytëse,
  • institucionet kanë shërbyer për leje klienteliste, jo për mbrojtjen e qytetarëve.

Kur shiu është i fortë, uji nuk shkon në det, sepse gryka e kanalit është e taposur – jo nga plastika, por nga korrupsioni. Dhe përmbyt dynjanë.

Pyetje që Rama dhe Sako nuk i përgjigjen

Sipas kësaj logjike:

  • Qytetarët që hedhin plehra në kanale para shtëpive të tyre nuk kanë fare faj?
  • Ata që kanë ndërtuar mbi këneta dhe argjinatura janë të pafajshëm?
  • Bashkia që mbylli kanale, qeveria që vodhi fondet dhe institucionet që nuk kontrolluan nuk mbajnë asnjë përgjegjësi?

Kjo nuk është fatkeqësi natyrore.
Është krim politik, korrupsion i organizuar dhe shkatërrim i qëllimshëm i territorit.

Dhe përgjegjësia nuk shpërndahet. Mban emra konkretë.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *