DE FACTO: U arrestua një diktator – DE JURE: Po testohet “Doktrina Trump” për rendin e ri botëror …

Nga Avokati Altin Goxhaj:

DE FACTO, në Venezuelë është arrestuar një njeri diktator. Venezuela nuk është pushtuar.
DE JURE, ajo që po ndodh është shumë më tepër sesa një operacion i zakonshëm politik apo ushtarak: është zbatimi praktik i një kapitulli të ri të manualit të rendit botëror, i njohur tashmë si “Doktrina Trump”, jo vetëm për të sotmen, por sidomos për të ardhmen.

Arsyeja pse kam arritur ta kuptoj Donald Trump që në fushatën e vitit 2016 nuk lidhet me deklaratat e tij publike. Trump nuk lexohet nga fjalët, por nga konteksti, veprimi, aleatët, kundërshtarët dhe mbi të gjitha nga pasojat konkrete të veprimeve, sipas parimit themelor strategjik:
kosto sa më e ulët – përfitim sa më i lartë.

Venezuela dhe marrëveshja e Alaskës

Në Venezuelë po zbatohet pikë për pikë ajo që në qarqe strategjike njihet si marrëveshja e Alaskës:
Putin merr diçka, por Trump merr më shumë, sepse SHBA dhe Rusia kanë stomakë gjeopolitikë të ndryshëm dhe interesa strukturalisht të pabarabarta.

I gjithë vreri shqiptar ndaj të ashtuquajturit “pushtim amerikan” – i cili nuk ka ndodhur realisht, por është reklamuar si i tillë – lidhet me një strategji klasike:
ngritja e stekës së pretendimeve dhe
dekurajimi i çdo lufte civile të brendshme midis palëve venezueliane.

Në lojën lokale dhe ndërkombëtare, çdo palë është e detyruar të paraqitet në raport ofertë–kërkesë.

Shembulli i tregut imobiliar luksoz

Situata është e krahasueshme me spekulimin në tregun imobiliar të VIP-ave:
Vlera reale e pronës është dytësore krahasuar me vlerën virtuale, e cila shumëfishohet nga aftësia për ta “shitur” atë, duke fshehur licencat dhe lejet e së ardhmes.

Po kështu edhe në Venezuelë: realiteti është tranzicion, por narrativa është “pushtim”, për të frenuar çdo aventurë të pamatur nga aktorët lokalë.

SHBA nuk qeveris dot Venezuelën – dhe as nuk e synon

Shtetet e Bashkuara nuk e qeverisin dot Venezuelën si Iraku, dhe kjo nuk i shkon ndër mend askujt në Mar-a-Lago.
Qëllimi është tjetër: të ulen pretendimet, të ulen pritshmëritë dhe të rritet konkurrenca politike – pra oferta për të qenë pjesë e lojës së re.

Të gjitha figurat opozitare, brenda dhe jashtë vendit, janë në testim dhe seleksionim.
Veçanërisht po testohet diaspora venezueliano–amerikane konservatore, e cila trajtohet me prioritet për shkak të kapacitetit të saj për përfaqësim të jashtëm dhe pranueshmëri të brendshme.

Konfuzioni i strukturave të dhunës

Ushtria, policia, bandat, militantët, paramilitarët, komsomolasit dhe sigurimsat janë sot në konfuzion total:
– A kemi pushtim ushtarak?
– Apo tranzicion të patronazhuar?

Ky konfuzion është i qëllimshëm. Derisa të negociohen të gjithë gjeneralët, komandantët, paramilitarët dhe strukturat militante, media do të vazhdojë të shfaqë një “pushtim amerikan” fake, me një qëllim të vetëm:
të dekurajojë çdo paudhësi dhe aventurë të armatosur.

Vëmendja globale dhe balanca e interesave

Kancelaritë e botës janë të përqendruara në një pyetje kyçe:
Si realizohet tranzicioni duke balancuar interesat amerikane me pranueshmërinë social-politike-ekonomike venezueliane?

Kush mendon se gjithçka bëhet për naftë, ka probleme serioze me bibliotekën.
Trump e tha qartë në debatin me Hillary Clinton në 2016:
“Luftërat e Bush-Obamës na mësuan se nafta kushton më lirë ta blesh sesa ta vjedhësh.”

Nuk po luftohet për të vjedhur naftë, por për të mos ia lënë Kinës. Dikur kjo naftë ishte në koncesion të kompanive amerikane.
Dhe Venezuela nuk është vetëm naftë. Është shumë më tepër:
një pikë strategjike e kontrollit hemisferik, një mesazh për çdo lider që mendon të injorojë dollarin dhe të luajë me Pekinin.

Alaska: ndarja e sferave

Në Alaska, Trump mori Amerikat:
– Groenlandën
– Kanalin
– dhe së shpejti, përmes një tranzicioni të imponuar, liberalizimin e ngadaltë dhe miqësor të Kubës.

Putin mori ish-republikat sovjetike (përjashto Balltikun), duke neutralizuar rrezikun ukrainas.
Ashtu si Turqia që sot ka Sirinë nën patronazh.

P.S. për shqiptarët

Shqiptarët duhet t’i bëjnë vetes një pyetje të thjeshtë:
Si do ishim ndjerë në vitin 1989, po të merrnim vesh se Shqipëria do lidhej përfundimisht me Kinën e asaj kohe, me tollona dhe uri, pa asnjë shans për të rrëzuar Familjen Hoxha–Alia?

A do preferonim disa helikopterë amerikanë të uleshin në Bllok?

Identik kështu ndihen sot venezuelianët:
populli i femrave më të bukura në botë, në vendin më të pasur në botë, por populli më i varfër dhe më i uritur i Amerikës Latine.
Një popull ku prindërit e Gen Z jetojnë në diktaturë, por kanë lindur në liri.
Ata e dinë çfarë është liria. Ne jo gjithmonë.

Foto credit: Lejtnant Vilson Kulemani

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *