Digjitalizimi total dhe kufizimi i parasë cash, qeveria e Rilindjes nis “revolucionin fiskal” nga 1 janari 2026 …

Nga Redaksia:

Portali PatriotikMedia.al ju paralajmëroi, por ju nuk besuat. Për disa prej jush, postimet idiote në Facebook dukeshin më të vlefshme se një informacion i rëndësishëm që do t’ju shërbente realisht në jetën e përditshme. Tani po e shihni me sytë tuaj… ndryshimet fiskale nga 1 janari 2026 janë këtu, dhe nuk ka më kthim pas.

Qeveria e Rilindjes ka vendosur që nga 1 janari 2026 të hyjnë në fuqi një sërë ndryshimesh në ligjin “Për procedurat tatimore”, të cilat synojnë digjitalizimin e plotë të komunikimit midis administratës tatimore dhe tatimpaguesve, uljen e përdorimit të parasë fizike dhe forcimin e luftës kundër informalitetit.

Më poshtë mund të lexoni:

PatriotikMedia.al ju sjell përmbledhjen e masave kryesore dhe ndikimin që ato do të kenë për qytetarët dhe bizneset:

1. Digjitalizimi i komunikimit me tatimpaguesit

Të gjitha aktet administrative do të nënshkruhen elektronikisht dhe do t’u dërgohen tatimpaguesve digjitalisht, duke zëvendësuar shërbimin postar tradicional. Qëllimi: reduktimi i kostove, përshpejtimi i procedurave dhe rritja e transparencës.

2. Tregtia online nën kontroll fiskal

Bizneset që operojnë përmes internetit detyrohen të regjistrohen dhe të publikojnë të dhënat identifikuese (NIPT, adresë, kontakt). Mosrespektimi mund të çojë deri në pezullimin e faqes online. Kjo masë synon të luftojë informalitetin në tregtinë elektronike.

3. Bizneset e paregjistruara nuk kanë më preferenca

Administrata tatimore mund të aplikojë gjoba dhe vlerësim të TVSH-së për subjektet që operojnë pa regjistrim, duke eliminuar trajtimin preferencial që kanë pasur më parë.

4. Kufizimi i përdorimit të parasë cash

Pagesat ndërmjet bizneseve reduktohen nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë, ndërsa për individë dhe subjekte tregtare kufiri është 500 mijë lekë. Kjo do të rrisë gjurmueshmërinë dhe formalizimin e ekonomisë.

Më poshtë mund të lexoni:

5. Pajisja me terminale POS

Tatimpaguesit që pranojnë pagesa në dorë duhet të pajisen me terminale POS brenda afateve ligjore: 30 maj 2026 për sektorët e akomodimit, transportit dhe entet publike; 31 dhjetor 2026 për të gjithë tatimpaguesit e tjerë.

6. Vetëdeklarim më fleksibël për individët

Tatimpaguesit individë mund të korrigjojnë deklaratat e të ardhurave personale deri në 6 muaj nga dorëzimi, jo më shumë se dy herë. Afatet e dorëzimit të deklaratave të ndryshuara reduktohen nga 36 në 24 muaj.

7. Njoftime dhe deklarata automatike elektronike

Sistemi elektronik do të plotësojë automatikisht deklaratën e TVSH-së në rast se tatimpaguesi nuk e dorëzon brenda afatit, duke u bazuar në të dhënat e fiskalizimit.

8. Pezullimi i rimbursimeve gjatë hetimeve penale

Tatimpaguesit që janë subjekt hetimi për mashtrim fiskal ose fshehje të të ardhurash nuk do të përfitojnë rimbursime TVSH-je deri në përfundim të procedurave.

9. Shitja e pasurive të konfiskuara

Këshilli i Ministrave do të miratojë procedurat për shitjen e pasurive të konfiskuara nga administrata tatimore, duke harmonizuar ligjin me ndryshimet institucionale dhe rolin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

10. Forcim i Hetimit Tatimor

Njësitë e Hetimit Tatimor mund të kryejnë vlerësim paraprak për rastet e fshehjes së të ardhurave, pas autorizimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.

11. Përjashtim nga kamatëvonesat për institucionet publike

Institucionet qendrore dhe vendore nuk do të penalizohen me kamatëvonesa kur vonesat burojnë nga akte ligjore ose vendime gjyqësore me efekt prapaveprues.

12. Sanksione për prodhuesit dhe mirëmbajtësit e softuerëve fiskalë

Gjoba për ata që refuzojnë bashkëpunimin me administratën tatimore, për të garantuar integritetin e sistemit të fiskalizimit.

13. Harmonizimi me ligjin për tatimin mbi të ardhurat

Referencat ligjore dhe terminologjia janë përditësuar për të unifikuar zbatimin e legjislacionit tatimor në të gjitha nivelet.

Më poshtë mund të lexoni:

Qeveria e Rilindjes ka nisur një ofensivë të plotë për formalizimin e ekonomisë, digjitalizimin e administratës fiskale dhe reduktimin e parasë cash. Masa të reja që prekin të gjithë qytetarët dhe bizneset, duke futur një kontroll më të madh fiskal dhe duke eliminuar informalitetin.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *