Tendera me urdhër nga lart: Si u shkatërrua konkurrenca dhe u kthye shteti në pazar …

Nga Vladimir Prifti:

Dëgjova me kureshtje justifikimin e kryeministrit për takimet e tij me biznesmenë, si edhe për “rekomandimet” që u jep vartësve të tij në lidhje me këta individë. Ai e pranoi publikisht këtë praktikë, madje me krenari, duke deklaruar se askush nuk ka të drejtë ta ndalojë.

Pjesërisht, këtu mund të ketë të drejtë — nëse bëhet fjalë për takime me biznesmenë amerikanë, italianë, anglezë, turq apo japonezë, në kuadër të diplomacisë ekonomike. Por ai nuk ka asnjë të drejtë të urdhërojë apo të ushtrojë presion mbi vartësit e tij që biznesmenë të veçantë, të përzgjedhur prej tij, të fitojnë patjetër ankande publike.

Duke njohur natyrën e tij dhe precedentin e dënimeve apo hetimeve që e kanë shoqëruar jashtë vendit, në Francë apo Gjermani, në këto raste ai nuk sheh vetëm realizimin e një tenderi me vlerën maksimale. Ai sheh edhe mbushjen e valixheve personale, përmes kësaj vlere. Pikërisht këtu shkatërrohet thelbi i konkurrencës së ndershme dhe fitues shpallet jo ai që ofron kushtet më të mira për shtetin, por ai që është më afër kryeministrit.

Në këtë skemë, tenderat nuk janë më garë, por pazare. Ligji kthehet në dekor, ndërsa pushteti përdoret si çelës për përfitim personal.

Nuk mund të përcaktoj me siguri se kush e realizoi i pari këtë manovër vjedhjeje:
– Niko Peleshi në rastin e urbanizimit të Korçës në vitin 2008, me atë inxhinierin e huaj,
apo
– Edi Rama, në rastet më të fundit, me inxhinierë turq apo izraelitë.

Por një gjë është e qartë: të dyja rastet kanë të njëjtin përfundim. Janë zhvilluar në shkelje të hapura të ligjit dhe fitimet shkojnë, në radhë të parë, për ata që zgjedhin zbatuesit e ankandit, jo për qytetarët dhe as për interesin publik.

Në këtë sistem, shteti humbet, ligji nëpërkëmbet dhe korrupsioni kthehet në mekanizëm qeverisjeje.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *