“Balluku – AKSHI”: dy organizata, një kryetar dhe shteti mafioz …

Nga Basir Çollaku:

“Shteti mafioz” është një sistem politik ku qeveria dhe institucionet janë infiltruar – në role, ndikim dhe kontroll, formal apo informal – nga krimi i organizuar, duke çuar deri në njëhsim pushtetin formal me atë informal. Elitat politike janë në aleancë me krimin për të vjedhur pasuritë dhe fondet publike, për të intimiduar e kontrolluar opozitën dhe opinionin publik, duke krijuar një qeverisje të bazuar në korrupsion, klientelizëm, manipulim mediatik dhe dhunë.
Një shtet mafioz është ai ku kufijtë mes pushtetit politik legjitim dhe organizatave kriminale shuhen, duke e shndërruar aparatin shtetëror në një makineri efektive për pasurimin e një grupi të vogël në kurriz të shumicës dhe të pasurive publike.
(Përkufizim i Fondacionit Amerikan Carnegie)

A kemi mbërritur ne këtu?
Po. Pa asnjë dyshim.

Viti 2025 nisi me pranga dhe me pranga po mbyllet për “suksesmenin” e panikosur qeveritar Edi Rama, tashmë edhe vetë në prag të marrjes i pandehur familjarisht. Më 10 shkurt 2025 u arrestua kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj – pretenduesi për pasardhës partiak i kryeministrit, një nga dy “vëllezërit” e vetëshpallur të Aleks Sorosit. “Vëllai” tjetër, sipas vetëdeklarimeve dhe fotove me afërsi befasuese, është vetë Edi Rama.

Më 16 dhjetor 2025, Struktura e Posaçme i kërkoi Kuvendit autorizim për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, zëvendëses së Ramës në qeveri, Belinda Balluku. Rama po e tërheq zvarrë mazhorancën, duke hapur betejën e fundit me drejtësinë.

Hetimet janë në zyrën e tij, në familjen e tij, në oborrin e tij. Sanksionet amerikane ndaj Ramës janë një mundësi reale. Dosjet e tij të narkoshtetit, korrupsionit dhe pastrimit të parave nuk kanë konkurrencë, përveç autokratëve dhe diktatorëve të paktë që ende qarkullojnë.

Arsenali i përgjimeve Gysi–Balluku nuk shushat askënd: vizitorët e pafund në zyrën në ish-Bllok, mënyra si janë sjellë trupat, emocionet, pijet e çdo ngjyre. Gojët e tyre dhe gojët e liga e dinë çfarë ka ndodhur. Sado perversitete të kenë konsumuar, askujt nuk i kërcet për këtë zdërhallje pasthirmash mbi apo nën brez.

Problemi është tjetërkund.
Te pengmarrja e institucioneve.
Te grabitja e parave publike.
Te kontrolli mbi drejtësinë, ekonominë, shërbimet, investimet.
Te Siguria Kombëtare.

Problemi janë aktet kriminale të gatuara dhe të ekzekutuara nga grupi, nga organizata, dhe kostoja e madhe që kjo sjellje i ka prodhuar shoqërisë shqiptare.

Telashet ulëritëse janë në faktin se si pasuria publike ndahet si plaçkë lufte mes pushtetarëve, zyrtarëve me mandate publike, trafikantëve e vrasësve, funksionarëve të ligjit në çdo hallkë, biznesmenëve, mediatikëve dhe çdo lloj horrnaje tjetër.

Biznesmenët e mëdhenj, të përfshirë në listën e 54 kontrolleve në zyra dhe aktivitete, nuk janë viktima të një tendence për falimentimin e ekonomisë. Nëse kanë shkëmbyer privilegje për punë publike, nëse kanë hyrë në marrëdhënie të paligjshme, korruptuese apo komprometuese, këtë duhet ta përballin vetë – pa viktimizim.

Biznese të mëdha në Shqipëri ka plot. Ndonjë tek-tuk mund të jetë mënjanuar në fushatë, por shumica ishin në rresht. Në radhë. Duke kryer porosi për mazhorancën: me rrugë, me ujësjellësa – paçka se uji vjen me kismet – me gardhiqe e rrugica, me asfalte elektorale, me hekurishte e beton, me çati e rikonstruksione banesash në javët zgjedhore.

Këto porosi pranoheshin si shpërblim për punët e marra në takime dhe jo në garë, dhe për ato që do të merreshin pas “fitores”, sipas shënimeve të listave të patronazhimit. Konkurrenca është zhdukur pa nam e nishan në këtë allasoj qeverisjeje.

Në çdo qark kishte nga një “zyrë-gys” si shpërndarëse.
800 pagesa nga thesari në një vit për baxhanakun e Ramës, për punë të ndara me AKSHI, nga “udhëheqësja e vizionit” të Ramës, nuk janë gjenialitet – janë afinitet oborri. Aty hetimi duhet të ndalet gjatë.

Lista e deputetëve, ministrave, kryebashkiakëve dhe zyrtarëve të korruptuar, në pritje të masave të arrestit, nuk sjell asnjë entuziazëm qelie. Kjo nuk është spektakël. Kjo është luftë me të keqen.

Nëse i hedhim sheqer kësaj lufte, sipas orekseve lobuese e paguese të të hetuarve, thjesht do ta bëjmë nesër më të hidhur.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *